Botërori i Formula 1 i këtij viti po shkon drejt fundit, por gara për titullin për pilotë është më e ndezur se kurrë teksa janë 3 kandidatë për të arritur triumfin final.
Në krye të klasifikimit tani është Lando Norris me McLaren me vetëm 1 pikë më shumë se shoku i tij i skuadrës, Oscar Piastri dhe ndalesa e radhës do të jetë në Brazil fundjavën që vjen, një garë të cilën janë të shumtë ata që e konsiderojnë si kyce. Padyshim që nuk duhet injoruar as Max Verstappen që është afruar ndjeshëm dy pilotëve të McLaren, por për holandezin gara në Sao Paulo është shansi i fundit për të mos e humbur kontaktin me Norris dhe Piastrit.
Kampioni i botës në fuqi është 36 pikë prapa Norris dhe në këtë pikë atij do t’i duhet që të lërë si Norris ashtu edhe Piastrin pas në Çmimin e Madh të Brazilit e padyshim të fitojë garën. Përsa i përket historisë së këtij Çmimi të Madh, ajo i buzëqesh Verstappen përsa iu përket pilotëve dhe dyshes Red Bull-Mercedes përsa iu përket konstruktorëve
Holandezi i Red Bull, 4 herë kampion i botës e ka fituar garën në tokën braziliane 3 herë, në 2019 dhe 2023 e 2024 të cilave iu shtohet edhe fitorja e Garës Sprint në 2023. Ndërsa Mercedes dhe Red Bull së bashku kanë 13 fitore në 13 edicionet e fundit me vetëm 1 fitore të Ferrarit në vitin e largët 2017 me Sebastian Vettel.
Pra tradita e viteve të fundit nuk është në favor të Kokëkuqes italiane që gjithsesi ka fituar 10 gara në Brazil në historinë e saj. Lewis Hamilton ka fituar 3 herë në Sao Paulo e madje në 2008 ka fituar edhe titullin e tij të parë në mënyrën më kaotike të mundshme. Në pistën braziliane 1 fitore ka edhe George Russell por që është shumë domëthënëse për të, pasi është suksesi i tij i parë në 5 që ka arritur në karrierën e tij deri tani
Po McLaren? Fitorja e fundit e kësaj skuderie është shënuar përpara 12 vitesh me Jenson Button. Në 2024, Norris dhe Piastri pushtuan dy vendet e para në Garën Sprint, por gara tradicionale më pas tregoi një tjetër histori; Norris u rendit i 6 dhe Piastri i 8 pas një garë pak të çmendur e fituar nga Verstappen.
Por ndërsa gara për ititullin botëror është mes dy pilotëve të McLaren Norris dhe Piastri dhe Max Verstappen, për Konstruktorë kjo cështje është zgjidhur me kohë, teksa ka triumufuar sërish skuderia britanike dhe tani lufta është për vendin e dytë ku beteja është mes Ferrarit dhe Mercedes me kokëkuqen që ështe vetëm 1 pikë para skuderisë gjermane, ndërkohë që edhe Red Bull është aty teksa ka 346 pikë të grumbulluara…




