Fshati Dardhë, në Parkun Kombëtar Mali i Tomorit ofron pamjet më piktoreske për turistët, një vendbanim ku njerëzit gjetën strehë në këmbët e një mali madhështor.
Administrata rajonale e Zonave të Mbrojtura Berat solli nga pamje nga fshati Dardhë, në Parkun Kombëtar Mali i Tomorit.
Natyra është bujare me këto zona.
Nën këmbët e malit madhështor të Tomorit, ndodhen disa fshatra malore që tashmë janë kthyer në kuriozitete për turistët e aventurës, historisë dhe të mitologjisë. Këtu ndodhen Dardha, Qaf-Dardha, Perisnaka, Kostreni i Madh, Bogdani.
Peizazhet janë befasuese me ujëvara, burime, liqene e shkëmbinj të thepisur. Ka disa liqene akullnajore ku në krye të tyre ndodhet Sheshi i Shën-Pjetrit.
Parku Kombëtar Mali i Tomorit ka një sipërfaqe 24 723 ha dhe ndodhet në lindje të qytetit muze të Beratit. Ky park shtrihet në 2 qarqe të mëdha si ai i Beratit dhe ai i Elbasanit.
Parku Kombëtar i Tomorit përbëhet nga 12 monumente natyrore 2 bio-monumente, 10 gjeo-monumente si dhe 125 burime natyrore të cilat befasojnë turistët.
Parku ka kryesisht pyje ahu, pisha si dhe ka kullota alpine, që ndodhen në lartësinë 1000 deri 2000 metra mbi nivelin e detit. Si rrjedhojë ai formon pyje të thjeshtë rreth fshatrave Dardhë, Lybeshë dhe Kapinovë./ATSH/