Akuzat e kryedemokratit Lulzim Basha për fshehje të numrit të viktimave, ngjallën reagime të shumta nga ana e qeverisë dhe njëjtë edhe nga një përfaqësi mjekësh që i hodhën poshtë ato.
Nënkryetari i PD, Edi Paloka ka treguar se kushërira e tij, pedagogia e Universitetit të Ekonomisë, Irena Bogdani që u nda nga jeta pak ditë më parë, është kuruar për Covid, por nuk rezulton në listat e spitalit si viktimë nga pandemia.
“Vajza e tezes u mjekua për Covid dhe humbi jetën e intubuar në spital. Nuk rezulton në asnjë dokument zyrtar dhe prisja që në komunikatat e përditshme për rastin e Irenës (Bogdani). Më pas kur u interesuam rezultoi që nuk ishte futur fare në viktimat e Covidit. Kur unë kam një rast të tillë në shtëpi, çfarë pret më tepër, me një rast publik për më tepër, me një personazh të njohur, po qytetarët e tjerë? Kjo më bindi te ajo që deklaron Basha.
Ai ka dokumentat e veta që janë marrë direkt nga spitali dhe nuk diskutohet vërtetësia e tyre“, ka thënë Paloka për RTV Ora.
Paloka ka vijuar më tej, teksa ka thënë se Kryeministri Edi Rama po kërcënon Prokurorinë që të mos zhvillohen hetime në lidhje me këtë ngjarje.
“Nuk është rasti i parë që Rama kërcënon drejtësinë, gjykatat. Ky është kërcënim i hapur. Padia është publike dhe në raste të tilla Prokuroria vepron vetë. I është bërë thirrje Prokurorisë të hetojë dhe mjafton që të verifikohen dokumetat e Morgut në spital. Është kaq e thjeshtë, të marrë dëshmitarë, të pyesë. Rama e di se çfarë rezultatesh do të kishte nëse një Prokurori serioze dhe e pavarur do të shkonte të hetonte, prandaj e bën atë kërcënim”, tha ai.