Të paktën 68 emigrantë kanë humbur jetën pasi një varkë me 157 persona në bord u përmbyt në brigjet e Jemenit për shkak të motit të keq.
Mjeti lundrues u kthye përmbys në provincën jugore Abyan të dielën, tha për BBC shefi i Jemenit për Organizatën Ndërkombëtare të Emigracionit (IOM). Ai tha se 12 persona ishin shpëtuar, por fati i dhjetëra të tjerëve nuk dihet.
Pjesa më e madhe e viktimave mendohet të jenë nënshtetas etiopianë, sipas IOM.
Jemeni është një rrugë kryesore për emigrantët që udhëtojnë nga Briri i Afrikës drejt shteteve të Gjirit Persik në kërkim të një pune. Sipas IOM, muajt e fundit me qindra kanë vdekur ose humbur nga fundosjet e anijeve.
Zyrtarët e sigurisë së Abyan thanë se ka nisur një mision i madh kërkim-shpëtimi dhe shumë trupa janë gjetur në një zonë të gjerë të bregut.
Abdusattor Esoev, shefi i IOM, tha se varka gjendej në një zonë të rrezikshme në pjesën bregdetare që shpesh përdoret nga kontrabandistët. Ai theksoi rëndëzinë e përforcimit të masave ligjore për emigrantët që të parandalohet shfrytëzimi i tyre nga kontrabandistët.
Më herët, IOM e përshkroi udhëtimin nga Briri i Afrikës që përbëhet nga Somalia, Xhibuti, Etiopia dhe Eritrea, drejt Jemenit, si një nga “rrugët më të ngarkuara dhe të rrezikshme të emigracionit të përzier.”
Në mars, dy varka me më shumë se 180 emigrantë u fundosën në distriktin Dhubab në Jemen për shkak të detit të trazuar ku shpëtuan vetëm dy anëtarë të ekuipazhit.
Emigrantët që mbërrijnë në Pikat e Pritjes së Emigrantëve në Jemen kanë raportuar se kontrabandistët janë bërë edhe më të pakujdesshëm duke i drejtuar varkat qëllimisht drejt rrugëve të rrezikshme për të shmangur autoritetet, thotë një raporti i IOM.
Pavarësisht rreziqeve, shumë emigrantë vazhdojnë ta ndërmarrin udhëtimin dhe vetëm në 2024 mbërritën në Jemen mbi 60 mijë prej tyre. Gjatë dekadës së fundit, u regjistruan më shumë se 3400 vdekje dhe të humbur, nga ku 1400 vdekje ishin rezultat i mbytjeve.
Jemeni mbetet i përfshirë në një luftë civile që ka zgjatur më shumë s një dekadë. Grupi Huthi, i mbështetur nga Irani, kontrollon pjesën veriperëndimore që prej 2014 kur përzunë qeverinë nga kryeqyteti, Sanaa.