Ukraina ka ndryshuar tashmë disa nga planet e saj ushtarake për shkak të rrjedhjes së dokumenteve të klasifikuara të komunitetit amerikan të inteligjencës, të cilat u publikuan së fundmi në disa rrjete sociale.
Lajmin e kanë konfirmuar për mediat amerikane burime të afërta me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Vetë Zelensky ka rezultuar një person që është përgjuar nga inteligjenca amerikane, por kjo, për zyrtarët e afërt me të, nuk ka qenë një surprizë.
Synimi i përgjimit ka qenë zbulimi i planeve të qeverisë ukrainase në përballjen me Rusinë. Kievi kishte ndërmend të sulmonte Rusinë në territorin e saj me armatimet e ofruara nga Shtetet e Bashkuara, gjë të cilën Uashingtoni e ka kundërshtuar.
Ndërkohë, Pentagoni ka ngritur një “grup të posaçëm” për të sheshuar impaktin e rrjedhjes së dokumenteve.
Gjithashtu, Departamenti i Mbrojtjes është detyruar të ndërmarrë hapa për kufizimin e qarkullimit të informacionit, që u kalon çdo ditë disa qindra zyrtarëve qeveritarë.
Ndërkohë, një tjetër dokument i publikuar tregon shqetësimin e Shteteve të Bashkuara se Kina mund t’i përdorë sulmet ukrainase në brendësi të Rusisë si një mundësi për të etiketuar NATO-n si agresor dhe të rrisë ndihmën e saj për Moskën, nëse konsideron se sulmet kanë qenë domethënëse.
Të dhënat që sugjerojnë se administrata amerikane ka përgjuar edhe aleatë të tjerë kanë vënë në vështirësi diplomatët e Uashingtonit. “Viktimë” e përgjimeve ka rënë edhe Korea e Jugut, vend aleat i Shteteve të Bashkuara.
Lajmi ka shkaktuar debate në Seul, me zyrtarët koreano-jugorë që kanë deklaruar se do ta ngrenë si çështje me Uashingtonin.
E njëjta situatë është verifikuar edhe në Jerusalem, pasi një dokument i CIA-s tregonte se agjencia kryesore e inteligjencës së shtetit hebre, Mossad, ka inkurajuar protestat kundër qeverisë së re të vendit.
Edhe zyrtarë të shteteve të tjera do të bëjnë të njëjtën gjë, por po presin për të mësuar se çfarë do të thonë zyrtarët e afërt me Biden mbi dokumentet e rrjedhura në ditët e ardhshme.