David J. Kostelancik, diplomati i caktuar nga Presidenti Biden për të shërbyer si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, doli përpara Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin amerikan, ku foli për prioritetet e tij gjatë misionit që i është besuar.
“Nëse konfirmohem në këtë detyrë do të bashkëpunoj me Shqipërinë për të forcuar institucionet demokratike dhe institucionet e drejtësisë. Presidenti Joe Biden e ka përcaktuar luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si pjesë të strategjisë sonë kombëtare. Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Kostelancik.
Një nga sektorët e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve, sipas diplomatit të karrierë, do të jetë forcimi i mëtejshëm i partneritetit në mbrojtje.
“Sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë në vitin 2022 tregoi nevojën për të për të investuar në infrastrukturë dhe trajnime për të ndërtuar një sistem kibernetik të qendrueshem. Shtetet e Bashkuara kanë dërguar ekspertë në Shqipëri për të riparuar dëmet e bëra dhe kanë ofruar 50 milionë dollarë për këtë qëllim”, shtoi ambasadori.
Sipas Zërit të Amerikës, David J. Kostelancik ka shërbyer në Shqipëri edhe më herët në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën e porsahapur amerikane në Tiranë. Para emërimit si ambasador, i shërbente si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneralit Mark Milley.
Kostelancik është një diplomat me një karrierë 30-vjeçare. Ai ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë, në misionet e SHBA-së në OSBE dhe NATO, si edhe në Ankara të Turqisë. Ai flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht.