“Kosova, një nga vendet më të vogla evropiane, ka treguar se nuk keni nevojë të jeni të fuqishëm dhe të mëdhenj për të bërë një ndryshim të madh në jetët e njerëzve. Kohët e fundit Kosova festoi 14 vjetorin e saj dhe në North York, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës zgjodhi ta shënojë përvjetorin e shtetit të tij me ekspozitën “Besa- një homazh për heroizmin e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit”- kështu nis kolumnen e tij gazetari Yehudi BenSimon për gazetën me tirazhin më të madh në Kanada “The Toronto Star”.
Ai ndër të tjera thekson se veprimtaria e muajit të kaluar u ndoq nga anëtarë të komunitetit hebre dhe kosovarë (93 përqind e të cilëve janë etnikisht shqiptarë) në një pritje në Sinagogën “Beth Emeth Bais Yehuda” në North York, Toronto, duke përmendur edhe praninë e diplomatëve jo vetëm shqiptarë e hebrenj, por edhe të tjerë. “Ekspozita me 30 panele, nga fotografi amerikan Norman Gershman, tregon fytyrat e vetëm disa prej shpirtrave të guximshëm që refuzuan të toleronin të patolerueshmen”- shkruan më tutje BenSimon, i cili mbetet i impresionuar nga fakti që i gjithë kombi shqiptar kishte refuzuar të bashkëpunonte me nazistët sa i përket mbrojtjes së hebrenjve. “Në vend të kësaj, ata iu përmbajtën “Besës” – një premtim dhe një kod nderi, që këmbëngul se bashkatdhetarët e tyre janë si vëllezërit e tyre. Dyqind hebrenj u shpëtuan, kur 800.000 shqiptarë qëndruan së bashku kundër tiranisë. Dhe akoma dy mijë hebrenj të tjerë – të arratisur nga Gjermania, Greqia, Jugosllavia e gjetkë – u strehuan në Shqipëri. Shqipëria është i vetmi vend evropian që ka pasur më shumë hebrenj pas Holokaustit, sesa para tij’ vë në dukje gazetari për “Toronto Star”.
Muajin e kaluar, në vigjilie të katërmbëdhjetë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Toronto të Kanadasë së bashku me organizatën hebreje të këtij qyteti “Yad Vashem” bashkorganizuan ekspozitën me fotografi të shqiptarëve të Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare që i dolën në ndihmë popullit mik hebre në periudhën më të vështirë për ta, në Luftën e Dytë Botërore. Ekspozita e quajtur “Besa- Kodi i Nderit” u ndoq nga një numër i konsiderueshëm i pjesëmarrësve nga komuniteti shqiptar dhe hebre në Kanada, si dhe në praninë e korit diplomatik në Toronto.
Gazetari Yehudi BenSimon që është një gazetar izraelito-kanadez, i cili jeton në Toronto në fund të kolumnes së tij rreth kësaj ngjarjeje kulturore thekson: “Ajo që duhet thënë gjithashtu: si një vend me shumicë myslimane, Shqipëria mbetet një shembull i ndritshëm – veçanërisht në këto kohë të tensionuara – se si ne mund dhe duhet të përqafojmë humanizmin e njëri-tjetrit, pavarësisht nga dallimet. Dhe kështu, populli hebre i detyrohet një mirënjohje të madhe kombeve të Kosovës dhe Shqipërisë. Për guximin e tyre, për qëndrimin e palëkundur kundër frikës dhe forcës dhe për të qenë fener të mirësisë. Besoj shumë se BESA ka leksione për të gjithë ne: se institucioni më i fuqishëm është fuqia e individit për të bërë atë që është e drejtë”.