Autoritetet e Republikës së Greqisë, kanë shpallur ditën e djeshme me statusin “non grata”, gazetarin investigativ Artan Hoxha, duke e cilësuar “të padëshirueshëm” dhe kërcënim për rendin publik, duke ndaluar përjetësisht për të mos shkelur në territorin grek.
Gazetari Hoxha ka qenë ditën e djeshme duke udhëtuar drejt qytetit të Janinës, kur është ndaluar nga policia greke e kufirit në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.
Në sportelin e policisë kufitare, ku kryhet kontrolli i pasaportave për qytetarët që hyjnë në territorin grek, gazetarit Hoxha, i është komunikuar, se nuk mund të hyjë në Republikën e Greqisë, pasi përbën rrezik për rendin publik dhe sigurinë e brendshme të këtij shteti. Pasi i është marrë pasaporta, ai është mbajtur për rreth një orë në policinë greke.
Rreth orës 10:30 me orën lokale, i është komunikuar vendimi i autoriteteve greke, që e shpall “non grata” për një afat të pacaktuar.
Në vendimin që policia greke i ka dorëzuar gazetarit Hoxha, thuhet se:
1) është karakterizuar si person i padëshirueshëm.
2) konsiderohet person i rrezikshëm për rendin publik dhe sigurinë e brendshme, për shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose shumë shteteve të Bashkimit Europian.

Më pas, gazetarit Hoxha i është vendosur kryq me stilolaps në pasaportë mbi vulën e policisë greke dhe i është kërkuar të largohet menjëherë nga territori grek.

Kujtojmë se ky është një rast i përsëritur nga autoritetet greke ndaj gazetarëve shqiptarë, të cilët kanë denoncuar apo ekspozuar aktivitete të paligjshme në dëm të interesave të Republikës së Shqipërisë apo në dëm të interesave kombëtare shqiptare.
Një vendim i tillë është marr më parë për gazetarin Marin Mema, i cili nuk është lejuar më të shkel në territorin grek.
Pavarësisht se është një vend anëtar i Bashkimit Europian, shteti grek ka dëshmuar se vazhdon të njëjtën rrugë të penalizimit dhe diskriminimit ndaj gazetarëve shqiptarë, që “dëmtojnë” sipas tyre interesat kombëtare greke.
Gazetarit Hoxha i është komunikuar, se ky vendim është marrë në fillimin e vitit 2024, në kulmin e fushatës për zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Europian, kur në listën për eurodeputet të partisë në pushtet Nea Dimokratia (Demokracia e Re) e kryeministrit Qiriakos Mitsotaqis, kandidonte Fredi Beleri me shtetësi shqiptare dhe greke.
Për më shumë 23 vite, gazetari Artan Hoxha ka publikuar në media, kryesisht në Gazetën Shqiptare dhe televizionin Neës24, artikuj investigativ dhe dokumentare në lidhje aktivitete në dëm të interesave shqiptare, duke filluar nga skandali i ndërtimit të varrezave të ushtarëve grekë në territorin e Shqipërisë, skandali i zhvarrimeve të eshtrave të fshatarëve të Kosinës për ti paraqitur ata, si martirë të ushtrisë greke të vrarë në Luftën e Dytë Botërore.
Gazetari Hoxha ka publikuar një seri të gjatë ndër vite investigime në lidhje me Masakrën e Peshkëpisë, ngjarje e ndodhur më vitin 1994. Kjo masakër u krye nga një komando e ardhur nga territori grek, e cila sulmoi repartin kufitar të Peshkëpisë në Gjirokastër, duke marrë peng për disa orë, 130 rekrutë të Ushtrisë Shqiptare dhe duke vrarë “Dëshmorët e Atdheut”, komandantin Fatmir Shehu dhe ushtarin Arsen Gjini.
