Erton Fejzullahu është një prej lojtarëve të rrallë që ka luajtur për dy vende të ndryshme si senior. Mburret që ka mundur ta jap sado pak kontribut për shtetin ku është rritur, Suedinë, e më pas për vendin e lindjes, Kosovën.
Kosova për kundërshtare të parë në ciklin e ri kualifikues, atë për botërorin në futboll “Katari 2022”, e ka Suedinë. Ndeshja do të luhet më 28 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Fejzullahu të martën për KOHËN ka thënë se ka përvojë të mirë si te Suedia ashtu edhe te Kosova. Por, për Kosovën thotë se i rrah zemra më shumë.
“Të dyja shtetet janë në zemrën time, sepse kam veshur me krenari fanellën e të dyja shteteve, por normal më shumë zemra më rrah për Kosovën. Shpresoj që Kosova ta fitoj ndeshjen kundër Suedisë. Suedia ka një ekip të fortë dhe luan si grup goxha mirë, por ka edhe lojtarë të mirë individual, ndërsa edhe Kosova ka lojtarë të mirë individual dhe i duhet të pjekët edhe më shumë si grup. Suedia është një përfaqësuese që ka luajtur më shumë se 100 vjet futboll. Do të jetë ndeshje emocionuese për mua dhe do ta përcjelli me vëmendje”, ka thënë Fejzullahu, që për Suedinë ka shënuar tre gola në pesë ndeshje në vitet 2013 e 2014.
Ai ka luajtur edhe për U-17 dhe U-21 të Suedisë, derisa për Kosovën ka luajtur dy ndeshje, kundër Guinesë Ekuatoriale në miqësore dhe ndeshjen kualifikuese në vitin 2017 ndaj Kroacisë. Ishte edhe rezervist ndaj Finlandës, ndeshje që Kosova e humbi 1:0.
Fejzullahu thotë se ka qenë i detyruar atëbotë të luaj për Suedinë, meqë Kosova ende nuk e kishte të formuar ekipin e saj e po ashtu nuk kishte të drejtën të luaj ndeshje garuese.
“Në Suedi kam shkuar si 4-vjeçar dhe e kam kaluar gjithë jetën. Ka qenë moment i madh të luaj për Suedinë dhe përkrah idhullit tim në futboll Zlatan Ibrahimoviq. Kam luajtur ndeshje me rreth 50 mijë shikues. Edhe te Kosova kam ndier emocione të mëdha. Nuk kam pasur më herët mundësi të luaj për Kosovën, sepse Kosova nuk ishte e pranuar dhe ishte në formim të ekipit. Por, nëse Kosova dhe Suedia do të më ftonin atëkohë, kur unë isha në kulmin e karrierës, sigurisht se do ta zgjedhja Kosovën”, ka thënë Fejzullahu.
Kosova i ka gjasat e saj
Fejzullahu për Kosovën ka luajtur një ndeshje të ciklit kualifikues për botërorit “Rusia 2018”. Për “Dardanët” ishte cikli i parë pas pranimit në UEFA dhe FIFA. Edhe për Suedinë ishte rezervist në ndeshjen që suedezët e patën luajtur ndaj Irlandës për kualifikimet e Botërorit të vitit 2014.
Fejzullahu thotë se Kosova është në grup të vështirë me Suedinë, Spanjën, Greqinë dhe Gjeorgjinë. Por, ai thotë se i ka gjasat e saj.
“Spanja kuptohet që është favorite, kurse Suedia pa Ibrahimoviqin është më pak e rrezikshme. Por ka katër apo pesë lojtar të nivelit të lartë. Shpresojmë në paraqitje të mirë të Kosovës, gjasat e veta i ka e po ashtu edhe lojtarë të mirë individualë. E ka treguar cilësinë e saj në ndeshje me përfaqësuese të forta dhe nëse lojtarët luajnë si grup dhe japin 100 % nga vetja, jam i bindur se do të kenë sukses. Mendoj se ka ardhur koha që edhe Kosova të shkruaj historinë ashtu siç bëri Shqipëria, tash Maqedonia e Veriut dhe disa përfaqësuese tjera të nivelit të Kosovës. Nuk duhet të kënaqen me kaq, duhet të jenë më kërkues”, ka thënë Fejzullahu.
Fejzullahu uron që Ibrahimoviqi, me të cilin në të kaluarën ka luajtur te shteti skandinav, të mos kthehet të luaj për Suedinë.
“Në Suedi është duke u raportuar se trajneri është takuar në Milano me Ibrahimoviqin, por që nuk tregojnë se çka kanë diskutuar. Por, të pyetesha unë, do t’i thosha Ibrës të mos kthehet të luaj më për Suedinë. Po të kthehej Ibra, Suedia do të ishte më e fortë, ndërsa për Kosovën do të bëhej më vështirë. Unë besoj se Zlatani nuk do të luaj për Suedinë dhe Kosova do ta ketë mundësinë e vet për ta mposhtur Suedinë. Uroj të jetë ashtu”, ka theksuarFejzullahu.
Fejzullahu ka pasur ndikim të madh te Suedia që në vitin 2013 fitoi titullin e “kampiones jozyrtare të botës në futboll”, në turneun ndërkombëtar “King’s Cup” që u mbajt në Tajlandë.
Karriera e Fejzullahut mund të marrë fund pas dy muajsh
Fejzullahu 32-vjeçar është futbollist i lirë, ndërsa së fundi ishte pjesë e skuadrës së Lituanisë, Zhalgiris. Por, ai për shkak të një lëndimi të rëndë të pësuar në gju është operuar në vitin 2019 dhe nuk ka luajtur më që nga ai vit. Ai thotë se në korrik të vitit të kaluar kishte mundësi të kthehej, por shton se i ka humbur motivi.
“Nuk kam gjetur motivin të kthehem edhe pse e kam shëruar plotësisht lëndimin. Ka ndikuar edhe pandemia e koronavirusit dhe tash e kam edhe më vështirë të gjej motiv për t’u kthyer, sepse janë bërë një vit e gjysmë që nuk kam luajtur. Nuk është vetëm ky lëndimi i fundit. Problemet me lëndime më kanë përcjellë në këto tre vjetët e fundit dhe jam lodhur shumë”, ka thënë sulmuesi.
Fejzullahu si i ri ka depërtuar në profesionalizëm. Ai karrierën si profesionist e nisi në vitin 2005 te skuadra e njohur daneze, Kopenhagen. Ka luajtur edhe për Mjallbyn, NEC Nijmegenin, Randersin, Djurgardensin, Beijing Guoan, Dalian Transcendencen, Sarpsborgun, Kalmarin dhe së fundi për Zhalgirisin.
“Me menaxherin tim e kemi lënë mundësinë e hapur që nëse vjen ndonjë ofertë interesante do ta vazhdoj. Në Suedi kam pasur disa oferta, por nuk më janë dukur interesante. Nuk dua që të shkoj në një klub dhe të sakrifikoj, sepse kam pasur tri operime brenda tre vjetëve dhe dua të luaj tash për ndonjë klub ku kam interes. Është hera e parë në karrierë që nuk luaj për një vit e gjysmë. Nuk është mirë, por as keq jo, sepse tani kam kohë të kaloj me familjen time. I ri jam larguar nga familja për të bërë karrierë si profesionist, ndërsa tani dua ta kaloj kohën me familjen time. Por, nëse vjen brenda këtyre dy muajve një ofertë e mirë do të kthehem, ndryshe do të përshëndetem dhe të shoh ndonjë mundësi tjetër në futboll, si menaxher apo si trajner. Nuk kam ndonjë ide tash për tash”, ka deklaruar Fejzullahu.
Fejzullahu thotë se ka marrë thirrje edhe nga menaxherë të ndryshme për të luajtur në Kosovë, Shqipëri apo Maqedoni të Veriut.
“Më kanë kontaktuar, por u kam thënë se nuk jam i interesuar, sepse kam familjen në Suedi dhe dua t’u qëndroj afër familjarëve”, ka thënë Fejzullahu.