Ministri gjerman i Zhvillimit, Gerd Mueller tha se vendi i tij do t’i japë fund ndihmës për zhvillimin e Afganistanit, pas marrjes nën kontroll të Afganistanit nga talebanët.
Talebanët qeverisën Afganistanin për pesë vjet në fund të shekullit të 20-të para se të dëboheshin nga një sulm nën drejtimin amerikan.
Koha e tyre në pushtet u shënua me kufizime të rrepta për të drejtat e grave, mohimin e arsimimit për vajzat, dënime për njerëzit që shiheshin si jomjaftueshmërisht të devotshëm dhe dhënien strehë rrjetit terrorist të Al-Kaedës, përgjegjëse për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA.
Pasi morën kontrollin e vendit të dielën e kaluar, talebanët këmbëngulin se ata nuk do të kërkojnë ndëshkim kundër zyrtarëve qeveritarë dhe do të respektojnë të drejtat e grave.
Megjithatë, shumë afganë nuk i besojnë ata dhe po përpiqen të largohen nga vendi, duke krijuar kaos në aeroportin e Kabulit.
”Përparësia jonë tani është të nxjerrim të gjithë personelin gjerman të ndihmës nga Afganistani. Asnjë nga 250 milionë eurot (296,4 milionë dollarë) në ndihmën gjermane të dedikuara për Afganistanin këtë vit nuk është disbursuar ende, megjithëse financimet nga burime të tjera mund të kenë rrjedhur”, deklaroi Mueller.

