Pas polemikave mbi shiritin e ylberit të njohur si ‘One Love’ përpara ndeshjes hapëse të Gjermanisë në Kupën e Botës “Katar 2022”, kombëtarja gjermane vendosi të mos dërgonte asnjë lojtar në konferencën për shtyp të FIFA-s përpara ndeshjes së tyre vendimtare kundër Spanjës të dielën.
Trajneri Hansi Flick doli i vetëm para shtypit dhe tha se nuk e kupton pse nuk u lejuan të flisnin në hotelin e tyre, duke shpjeguar arsyen pse vendosi që asnjë lojtar të mos ishte i pranishëm në sallën e shtypit të Media Center.
“Ne kemi një udhëtim tre-orësh për të ardhur dhe për të folur këtu dhe unë preferoj që lojtarët të pushojnë dhe të rimbushin energjinë e tyre”, ka thënë fillimisht Flick.
“Ne kemi ambiente fantastike për të mbajtur konferenca për shtyp, por ata nuk na lënë të flasim atje, kështu që unë kam vendosur të vij vetë. Lojtarët e mi duhet të mendojnë vetëm për Spanjën”, përfundoi trajneri i Gjermanisë.
Gjermania po qëndron larg stadiumeve
Duhet theksuar se Gjermania është e vetmja skuadër që vendosi të qëndrojë jashtë zonës ku po zhvillohet Botërori, duke u larguar më shumë se 100 kilometra.
Arsyeja tjetër e Gjermanisë për kundërshtimin e konferencës për shtyp
Teoria tjetër është se federata gjermane dhe lojtarët janë ende shumë të mërzitur me FIFA-n dhe për këtë arsye vendosën të heshtin, siç bënë me gjestin e tyre në foton para duelit të Japonisë.
Vendimi i Gjermanisë do të çojë në një dënim të konsiderueshëm financiar, pasi FIFA kërkon që një lojtar të paraqitet me trajnerin përpara mediave përpara çdo ndeshje të Kupës së Botës.