Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua procesi gjyqësor ndaj ish-kreut të Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, për të cilin SPAK ka kërkuar pushimin e çështjes për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”.
Kërkesa për pushim është paraqitur nga prokuroria me argumentin se, pas përfundimit të të gjitha fazave të hetimit, është konstatuar se fakti ekziston, por nuk përbën vepër penale.
Gjatë seancës, prokurori Elvin Gokaj u shpreh se janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe nuk është provuar që ka konsumim të veprës penale nga Myzyri apo nga të tjerët e hetuar në këtë çështje, mes tyre Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega.
Nga ana e tyre, avokatët mbrojtës argumentuan se anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik nuk zhvillojnë procedura tenderimi, por vetëm procedura ankimi dhe se institucioni funksionon si një strukturë kuazi-gjyqësore.
Pas dëgjimit të palëve, gjyqtari Paulin Çera vendosi të marrë kohë për shpalljen e vendimit, i cili pritet të jepet më 25 maj, në orën 10:30.

