Ish prokurorja amerikane Kimberly West do të jetë kryeprokurorja e re në Dhomat e Specializuara në Hagë që trajton krimet e luftës në Kosovë.
Sipas Zërit të Amerikës, West do të zëvendësojë në këtë detyrë ish-kryeprokurorin Jack Smith, i cili në nëntor të vitit 2022 u emërua prokuror i posaçëm për hetimet ndaj ish presidentit amerikan Donald Trump.
Kimberly West ka punuar si prokurore për më shumë se dy dekada në SHBA, ndërsa nga viti 2008 deri në vitin 2013 punoi në Gjykatën Ndërkombëtare për krime luftë në hapësirat e ish Jugosllavisë, si pjesëtare e ekipit që ndoqi penalisht ish-udhëheqësin e serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç, për rolin e tij në gjenocidin në Srebrenicë. Ajo ishte gjithashtu në ekipin e prokurorëve në trajtimin e krimeve të kryera në Mostar të Bosnjës nga forcat kroate.
Në dhjetor të vitit të kaluar Gjykata dënoi me 26 vjet heqje lirie ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa, nën akuzat për vrasje dhe torturë në një qendër paraburgimi gjatë luftës në Kosovë.
Në fillim të muajit prill nisi procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre ish-zyrtarëve të lartë politikë, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, të gjithë ish-udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën akuzat për krime lufte dje krime kundër njerëzimit. Ata akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.