E ardhmja e inteligjencës artificiale (AI), duke përfshirë automjetet me energji të re inteligjente të lidhura me rrjetin, që janë në thelb kompjutera me AI me rrota, po paraqitet në Ekspozitën Botërore të Industrisë Inteligjente 2025, duke ofruar një pamje të jetës në dekadën e ardhshme.
Kjo veprimtari katërditore me temë “Të mbledhim së bashku dituri dhe forcë”, e cila u hap të premten në Chongqing të Kinës Jugperëndimore, përmban një gamë të gjerë paraqitjesh industriale, risi dhe konkurrime të nivelit të lartë.
Ajo përfshin pesë sektorë kryesorë – automjetet me energji të re inteligjente të lidhura me rrjetin, qytetet digjitale, robotikën inteligjente, ekonominë e lartësisë së ulët dhe shtëpitë e zgjuara. Më tepër se 100 standarde, prodhime dhe teknologji të reja industriale pritet të publikohen, me mbi 3 000 risi.
Përveç veprimtarisë kryesore, ekspozita përmban gjashtë konkurrime profesionale, duke përfshirë Turnen me Ftesë të Azi-Paqësorit të Chongqing-ut “RoboCup” 2025, i cili do të jetë edhe një platformë shkëmbimesh për praktikantët e industrisë së zgjuar botërore.
Muajin e kaluar, Kina shpalli një udhërrëfyes mbi thellimin e zbatimit të nismës së saj “AI Plus”, e cila synon të çojë normën e depërtimit të terminaleve dhe sistemeve të zgjuara mbi 70 për qind deri në vitin 2027, duke hyrë kështu në një fazë të re të ekonomisë dhe shoqërisë inteligjente me AI deri më 2035.
Kina zë tani vendin e parë në botë për pronësinë e patentave të AI-së, me mbi 5 000 ndërmarrje në këtë sektor. Tregu i saj i AI-së parashikohet t’i kalojë këtë vit 700 miliardë juanët (rreth 98 miliardë dollarë).