Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar për situatën e krijuar në Kosovë pas helmimit të mbi 900 banorëve në Deça. Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, kreu i shtetit shpreh shqetësimin e tij për situatën emergjente me të cilën po përballet komuna e Deçanit në Kosovë.
Po ashtu Meta i bën thirrje qeverisë shqiptare që t’u gjendet pranë autoriteteve në Kosovë, sipas mundësive.
“Me shqetësim po e përcjell situatën emergjente në komunën e Deçanit. Qytetarëve të helmuar ju uroj shërim sa më parë dhe tejkalimin pa pasoja të kësaj situate.
Familjeve të tyre ju shpreh mbështetjen dhe solidaritetin tim më të thellë.
Me besimin e plotë se institucionet shtetërore përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet dhe po bëjnë përpjekjet e duhura për zbulimin, zbardhjen e shkaqeve dhe kapërcimin e tyre, e nxis Qeverinë shqiptare t’u gjendet pranë, sipas mundësive, me ekspertizë dhe çdo ndihmë të nevojshme.
Shqipëria dhe Kosova gjithmonë krah njëra-tjetrës!”