Gjykata federale e Floridës ka zbardhur arsyet e bastisjes së shtëpisë së ish-presidentit amerikan e Donald Trump nga ana e agjentëve të FBI-së, lidhur me të dhëna të klasifikuara sekret që ai mund t’i ketë marrë me vete kur u largua nga Shtëpia e Bardhë.
Trump po hetohet për tre akuza, ku më e rënda është një shkelje e Espionage Act, praktikisht një akuzë për spiunazh, por edhe për mbajtje ilegale të dokumenteve qeveritare si dhe për tentativën për të penguar hetimet.
FBI gjatë kontrolleve në shtëpinë që politikani miliarder ka në Mar- A – Lago të Floridës, kanë sekuestruar 20 kuti me dokumente të ndryshme, disa prej të cilave të klasifikuara si “top Secret”, të tjera gjithsesi të rezervuara.
Pas kontrollit në shtëpinë e tij, reagimi i Trump ishte i fort. “Këto janë kohë të errëta për kombin tonë. Kam bashkëpunuar me të gjitha agjencitë përkatëse qeveritare dhe kështu që bastisja e paparalajmëruar në shtëpinë time nuk ishte e nevojshme apo e përshtatshme.
Një sulm i tillë mund të ndodhë vetëm në vendet e shkatërruara, të botës së tretë. Mjerisht, Amerika tani është bërë një nga ato vende, të korruptuara në një nivel të paparë më pare”, u shpreh ish-presidenti disa ditë më parë.
Sipas asaj që raporton Washington Post, në bazë të burimeve, bastisja aspak e zakontë tregoi shqetësimin e thellë brenda qeverisë së SHBA për informacionin që mbante ish presidenti në Mar-a-Lago dhe rrezikun se ai mund të përfundonte në duart e gabuara.
Bastisja e së hënës ishte hera e parë në historinë amerikane që shtëpia e një ish-presidenti kontrollohej si pjesë e një hetimi penal.