Java e ardhshme pritet të vijojë me mot dimëror, duke përfshirë reshje shiu dhe dëbore, ndërsa në mesjavë dhe më pas, priten ditë me diell, por temperatura të ulëta. Moti i sotëm karakterizohet nga vranësira mesatare deri të dendura dhe reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët në shumicën e territorit. Në qendër dhe jug, reshjet janë më të theksuara, ndërsa në zonat malore të verilindjes dhe juglindjes (mbi 300-400 metra dhe 600-700 metra, përkatësisht) ka reshje dëbore.
Reshjet kanë krijuar vështirësi në lëvizjen e mjeteve në disa akse rrugore për shkak të grumbullimit të borës dhe akullit. Rrugët nacionale janë të kalueshme, por me vështirësi. Banorët e fshatrave në disa njësi administrative janë të izoluar për shkak të borës, ndërsa mungesa e energjisë elektrike e rëndon situatën. Qyteti i Kukësit vijon të përballet me reshje dëbore, temperatura të ulëta dhe erëra të forta. Institucionet apelohen të ndërhyjnë për të ndihmuar banorët e zonave të bllokuara dhe për të garantuar qarkullimin e mjeteve në rrugët problematike.
- Situata në jug-lindje
Në aksin nacional Përrenjas-Qafë Thanë ka prani të dëborës dhe ngricave. Aktualisht rruga është e kalueshme, por me vështirësi. Policia nuk lejon kalimin e mjeteve te pa pajisura me zinxhirë dhe goma dimërore.
Edhe pse borëpastrueset kanë punuar, evidentohet që në disa akse është hedhur pak ose aspak kripë, duke bërë kështu që disa prej automjeteve kryesisht ata me goma të papërshtatshme për stinën shpesh herë të bllokohen deri në vendosjen e zinxhirëve.
Për sa i përket aksit tjetër Librazhd-Peshkopi, është thuajse i pakalueshëm për shkak të ngricave dhe trashësisë së dëborës që i ka kaluar 50 cm. Ndërsa termometri ulet në vlerën 7 gradë Celsius. Disa fshatra janë bllokuar në bashkitë Përrenjas dhe Librazhd.
Reshjet e dendura të dëborës dhe kushtet atmosferike ekstreme kanë pezulluar procesin mësimor në 30 shkolla të juglindjes së vendit.
Në total, 1100 nxënës nuk do të zhvillojnë mësim sot, me shumicën e tyre të përqendruar në zonën e Pogradecit, ku në zonën e Mokrës dëbora varion nga 35-50 cm trashësi.
Shkollat e qendrave kryesore si Velçani (138 nxënës), Rodokali (145 nxënës), Proptishti (112 nxënës) dhe Trebinja (84 nxënës), si dhe shkolla të tjera vartëse në fshatra si Bishnica, Slabinje, Laktesh, Buzaishtë, Kriçkovë dhe Grunjas, janë mbyllur për shkak të dëborës së madhe që ka bllokuar rrugët dhe ka vështirësuar transportin e nxënësve.
Në Devoll dhe Korçë-Pustec, shkolla të tjera si ato në Vidëhovë, Arrzë, Vithkuq, Lubonjë dhe Panarit gjithashtu kanë ndërprerë procesin mësimor për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike dhe mungesës së qasjes në infrastrukturë.
Kushtet e krijuara nga reshjet e dëborës kanë bërë të pamundur zhvillimin e mësimit, ndërsa pritet një ndërhyrje për përmirësimin e situatës në ditët në vijim.
Reshjet e dendura të dëborës dhe kushtet e vështira atmosferike kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa fshatra të jug-lindjes, duke lënë 369 abonentë pa energji në zonat rurale më të thella.
Sipas raportimeve, situata paraqitet e rëndë në disa zona:
Pogradec: Fshatrat Velçan, Proptisht, Rodokal, Trebinjë dhe Dardhas janë ndër më të prekurit nga mungesa e energjisë.
Korçë: Në zonën e Vithkuqit dhe fshatrave si Lubonjë dhe Panarit janë raportuar defekte të rëndësishme në rrjet.
Devoll: Vidëhova dhe Arrza janë gjithashtu të përfshira në ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike.
- Mijëra familje janë pa energji elektrike në Lezhë
Mijëra familje janë pa energji elektrike në Lezhë.
Një situatë e tillë me orë kaq të zgjatur kishte vite që nuk kishte ndodhur.
Siç duket nga pamjet era e fortë ka sjellë shkuljen e shumë pemëve, diçka që ka krijuar edhe dëmtime. Si pasojë janë thyer vetrata xhami, janë dëmtuar makina dhe janë bllokuar rrugë të ndryshme.
Në Lezhë vijon ende moti me reshje dhe erë të fortë dhe duket se kjo ka shkaktuar probleme në rrjetin elektrik. Aktualisht situata e tillë vijon në disa lagje të qytetit të Lezhës dhe Shëngjinit. Ndërkohë në zonat rurale, situata është edhe më e vështirë.
“Nga strukturat e MC të bashkisë Kurbin raportohet se pothuajse gjithë qyteti është gdhirë pa drita që nga ora 20 e mbrëmjes së djeshme. Si pasojë e mungesës së energjisë, është ndalur dhe furnizimi me ujë i qytetit. Rreshjet për momentin kanë ndalur por era vijon me fuqi deri 65km/ore”, njoftuan nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
Sipas të dhënave Stacioni Meteorologjik Ushtarak në Gjadës gjatë 24 orëve, kanë rënë 10 milimetra shi.
Ndërkohë në Bashkinë Mirditë raportohet se trashësia e dëborës ka arritur në rreth 40 centimetra në Fan. Nga ana tjetër Policia Rrugore e Lezhës, njoftoi të gjithë drejtuesit e mjeteve të transportit të mallrave veçanërisht ata me tenda që do të kalojnë në urën e Matit, të tregojnë kujdes maksimal gjatë kalimit.
“Nëse mjetet janë pa ngarkesë, ju kërkohet të hapni tendat për të shmangur rrezikun e destabilizimit nga era ose lëvizjet e papritura. Të respektohet shpejtësia e lejuar dhe të ndiqen udhëzimet e sinjalistikës dhe të policisë rrugore”, njoftoi policia.
- Në Elbasan dëbora arrin trashësinë deri në 1 metër, probleme qarkullimi në disa njësi administrative
Trashësia e dëborës është nga 10 deri 20 cm.
Në disa segmente të aksit rrugor Griqan – qendër Njësisë Administrative Labinot Mal si pasojë e erës trashësia e dëborës arrin deri në 1 metër. Të gjitha akset rrugore të tre njësive aktualisht janë të bllokuara pasi ka dhe prezencë të akullit.
Mbrëmjen e së dielës me mjetet e Bashkisë Elbasan, ekipet e Shërbimeve Publike u bë e mundur hapja e rrugës nga Griqani i Sipërm deri në fshatin Gur i Zi ku ishin bllokuar rreth 7 mjete me 20 persona.
Sot ka vazhdon puna për hapjen e akseve kryesore të tre njësive dhe hedhjen e kripës.
- Situata në qarkun e Shkodrës
Në qarkun e Shkodrës ka prani të borës dhe erës së fortë në zonat malore ku qarkullimi duhet të kryhet me goma dimerore dhe zinxhirë.
Nj.A. Shale, Shosh, Pult, Velipoje dhe Gur i Zi kane probleme me furnizimin me Energji Elektrike.
Aksi rrugor Kire – Shosh është i bllokuar. Rruga për në Theth është e kalueshme por me ngrica.
Në bashkinë Malësi e Madhe , deri në keto momente nuk raportohen probleme tek Emergjencat Civile.
Në bashkinë Vau Dejes ka mungese të furnizimit me energji elektrike në Nj.A. Vau Dejes, Hajmel, Vig Mnele, Temal dhe Shllak. Vazhdojne ererat me intensitet te larte. Dy njësitë malore janë të izoluara nga debora.
Në bashkinë Fushë Arrëz kanë vazhduar reshjet e dëbores gjatë natës së mbrëmshme shoqëruar me erë të fortë, kurse në Pukë vijojnë reshjet e shiut. Rruga nacionale Fushe-Arrez-Qafe Mali është pothuajse e pa kaluesh pasi akoma nuk e ka pastruar asnje mjet borpastrues. Vazhdon të jetë e bllokuar rruga Bardhet – Iballe dhe ka probleme për sa i perket furnizimit me energji elektrike ne fshatrat e NjA Qafe-Mali dhe Iballë.
- Situatë problematike në Dibër, Bypass-i i Murrizit vijon i bllokuar
Situata problematike vazhdon të mbetet në Qarkun e Dibrës për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.
Rruga e Arbrit është ende e bllokuar dhe raportohet se në Bypass-in e Murrizit një automjet ka dalë nga rruga dhe ka mbetur i bllokuar me tre persona brenda.
Një fadromë është nisur për të mundësuar qasje në zonën e Bypass-it. Shumë njësi administrative në Qarkun e Dibrës janë të bllokuara, përfshirë Lurën, Kalajën e Dodes, Selishtën, Ostrenin dhe Trebishtin, ku lartësia e borës ka arritur deri në 70 cm.
Në disa fshatra ka munguar energjia elektrike për më shumë se 24 orë, ndërsa në disa zona të thella nuk do të vazhdojë procesi mësimor.
- Ministria e Arsimit: Pezullohet mësimi në 77 shkolla
Ministria e Arsimit njofton se për shkak të motit të keq që ka mbërthyer disa zona të vendit, ditën e hënë pezullohet mësimi në 77 shkolla.
Problematike paraqitet situata në disa shkolla në zonat e Bulqizës, Matit, Dibrës, Krujës, Hasit, Kukësit, Mirditës, Kurbinit, Pukës, etj. Procesi mësimor në këto shkolla pezullohet deri në një njoftim të dytë dhe do zëvendësohet në javët në vijim.