Irani prezanton raketat e reja

albnews
By
3 Min Read

Irani ka demonstruar armën më të re balistike dhe një tjetër predhë të tipit kruz duke shpërfillur apelin e Uashingtonit për t’i dhënë fund programeve raketore dhe bërthamore.

Mësohet se raketa më e madhe ka aftësinë ta godasë objektivin në distancë 1,400 kilometra pa u diktuar nga sistemet antiraketore, ndërsa raketa kruz arrin largësinë 1 mijë kilometra.

Të dy raketat balistike kanë edhe një kuptim simbolik, pasi mbajnë emrat e ish-gjeneralit, Kasem Sulejmani, dhe të udhëheqësit të milicisë irakiane, Abu Mahdi al-Muhandis, dy figura të larta të ekzekutuara në muajin janar me një dron nga Amerika me pretekstin e luftës ndaj terroristëve.

Ngjarja e janarit për pak nuk përshkallëzoi në konflikt të hapur ushtarak.

Raketat, e veçanërisht raketat kruz, janë shumë të rëndësishme për ne. Fakti që e kemi rritur rrezen e tyre të veprimit nga 300 km në 1 mijë kilometra në më pak se dy vite, është një arritje e madhe. Programet tona ushtarake dhe raketore kanë qëllim mbrojtjen,” deklaroi presidenti iranian Hasan Ruhani.

Po të enjten, Teherani zbuloi gjeneratën e katërt të motorëve turbo që shfrytëzohen për dronët dhe linjën e re të prodhimit të motorëve reaktivë për avionët e vet luftarakë.

Të gjitha zhvillimet vijnë në kohën kur Uashingtoni planifikon të zgjerojë sanksionet ekonomike ndaj republikës islamike.

Rezoluta e SHBA-së për ta zgjatur embargon e armëve kundër vendit u refuzua javën e kaluar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, por presidenti Donald Trump nuk do të tërhiqet.

“Sot kam udhëzuar Sekretarin e Shtetit, Majk Pompeo, të njoftojë Këshillin se SHBA-ja synon të rikthejë thuajse të gjitha sanksionet e mëparshme kundër Iranit që janë pezulluar nga OKB-ja. Sanksionet tona të ashpra kanë bërë që Irani të mos ketë më aq para sa t’i japë botës, terroristëve, Al-Kaedës dhe grupeve të tjera që financonin. Do kemi paqe në Lindjen e Mesme.”

Raportet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë acaruar nga viti 2018 kur Shtëpia e Bardhë vendosi largimin nga marrëveshja antiatomike me Iranin, kur u vu re se vendi vazhdonte të mbetej një faktor destabiliteti në rajon dhe nuk pranonte të hiqte dorë nga armatimi bërthamor.

Share This Article