Benkirane u bëri thirrje udhëheqësve arabë që të pajtohen me popujt e tyre
Ish-kryeministri maroken Abdelilah Benkirane theksoi se Pranvera Arabe nuk ka mbaruar ende, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në konferencën e dytë të Këshillit Arab përmes videokonferencës të premten, Benkirane u bëri thirrje udhëheqësve arabë që të pajtohen me popujt e tyre.
“Do të vijë një ditë kur sundimtarët autoritarë në botën arabe do të kërkojnë strehë për t’u fshehur dhe nuk do ta gjejnë atë”, deklaroi ai në adresimin e tij me temë “Pranvera Arabe: Mësimet dhe sfidat e së ardhmes”.
“Gjëja më e mirë për ta është të pajtohen me popujt e tyre”, tha Benkirane.
Ndërsa pranoi se Maroku ka para vetes një rrugë të gjatë për të bërë drejt arritjes të plotë të qëllimeve të revolucionit të Pranverës Arabe, Benkirane beson se vendi i Afrikës së Veriut “ishte i suksesshëm në trajtimin e Pranverës Arabe” dhe mund të shërbejë si “model” për vendet e tjera në rajon.
Pranvera Arabe paraqet një seri demonstratash në vitin 2011 që filluan në Tunizi pasi një shitës rruge tunizian u vetëndez duke protestuar ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut nga ana e regjimit.
Demonstratat u përhapën në disa vende arabe, ku protestuesit kërkonin rrëzimin e pushteteve autoritare, duke bërë thirrje për punësim, standarde më të mira jetese, si dhe demokraci dhe liri.