Ish-përzgjedhësi i Përfaqësueses së Polonisë, Jerzy Brzeczek, është njëri prej kandidatëve për ta marrë drejtimin e Kosovës, ka shkruar të martën sajti polak “WP Sportowe Fakty”. Madje thuhet se Brzeczek është në listën e ngushtë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe njëri prej favoritëve për ta zëvendësuar në postin e përzgjedhësit Bernard Challandesin, të larguar muaj më parë.
Bëhet e ditur se Brzeczek tashmë ka biseduar me krerët e FFK-së dhe është në pritje të përgjigjes përfundimtare. Brzeczek është i gatshëm për ta drejtuar Kosovën dhe këtë ia ka bërë me dije edhe FFK-së, që pritet së shpejti të marrë vendim për postin e selektorit.
Për shkak se është në pritje të përgjigjes së FFK-së, raportohet se Brzeczek tashmë ka ndërprerë negociatat me skuadrën e Jagiellonias që është në kërkim të një trajneri për pjesën e mbetur të këtij edicioni.
“Jerzy Brzeczek është njëri prej pak kandidatëve të përzgjedhur për ta marrë postin e përzgjedhësit te Kosova. Ai tashmë ka biseduar me drejtuesit e federatës kosovare dhe po e pret përgjigjen e tyre finale”, ka shkruar sajti polak. “Për këtë arsye, trajneri ka pezulluar bisedimet me Jagiellonian, ku ishte afër emërimit në krye të ekipit”.
50-vjeçari së fundi ka qenë në krye të Përfaqësueses së Polonisë, por në janar të vitit të shkuar është larguar. Ai e ka drejtuar Poloninë prej vitit 2018 kurse si trajner ka punuar edhe te skuadrat e këtij vendi si Wisla Plock, GKS Katowice, Lechia Gdansk e Rakow.
Sa i përket karrierës si futbollist, Brzeczek ka qenë reprezentues i Polonisë (1992-1999) dhe ka shënuar katër gola në 42 paraqitje. Ai ka luajtur në pozitën e mesfushorit dhe ka një karrierë të pasur në nivel klubesh. Si profesionist ka nisur të luajë prej vitit 1987, kurse nga futbolli aktiv është tërhequr në vitin 2009 me më shumë se 600 ndeshje të zhvilluara dhe 66 gola të realizuar nëpër klube të Polonisë, Austrisë e Qipros. Gjatë karrierës si lojtar, Brzeczek ka luajtur te Rakowi, Olimpia Poznan, Lech Poznan, Gornik, GKS Katowice, Tirol, LASK, Maccabi Haifa, Sturm, Karnten, Wacker e Polonia Bytom. Ai është kandidati i dytë nga Polonia që po synon postin e përzgjedhësit të Kosovës. Më herët për këtë post ka kandiduar edhe ish-përzgjedhësi tjetër i Polonisë, Adam Nawalka.
Pas largimit të Challandesit, Kosovën në dy ndeshjet e fundit të vitit të shkuar e udhëhoqi ndihmësi i tij, slloveni Primozh Gliha, që gjithashtu është kandidat për selektor. Në FFK më herët kanë thënë se numri i trajnerëve që kanë aplikuar për këtë post është i kënaqshëm dhe deri në muajin mars do të mësohet përzgjedhësi i ri.
Më herët është raportuar se në opsion për këtë post janë edhe Robert Donadoni, Marco van Basten e Felix Magath.
Muajin e kaluar Kosova mësoi kundërshtarët për edicionin e tretë të Ligës së Kombeve. Kosova tani luan në Ligën C, që është niveli i tretë. Kosova është pjesë e grupit të dytë të Ligës C së bashku me Greqinë, Irlandën e Veriut dhe fituesin e ndeshjeve mes Qipros e Estonisë.
Kosova nuk ka pasur rezultate të mira gjatë vitit 2021. Pas ndeshjeve të Ligës së Kombeve, Kosova do të luajë në kualifikimet e Kampionatit Evropian të vitit 2024.