Ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, Yair Lapid, të mërkurën u nis në udhëtim zyrtar në Marok. Kjo do të jetë vizita e parë e një kryediplomati izraelit në shtetin e Afrikës Veriore që nga normalizimi i raporteve mes dy vendeve vitin e kaluar.
Izraeli dhe Maroku u pajtuan në dhjetorin e kaluar që t’i rinisin marrëdhëniet diplomatike dhe fluturimet e drejtpërdrejta sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump. Si pjesë e marrëveshjes, ShBA-ja ia njohu sovranitetin Marokut në Saharanë Perëndimore.
Duke udhëhequr një delegacion ministror, Lapid do ta inaugurojë misionin diplomatik të Izraelit në Rabat, do ta vizitojë tempullin historik të Kasablankës, Beth-El, dhe do të zhvillojë bisedime me homologun maroken, Nasser Bourita, njoftoi zyra e kryediplomatit izraelit.
“Kjo vizitë historike është vazhdim i miqësisë së gjatë dhe rrënjëve e traditave të thella që i kanë komuniteti hebre në Marok dhe komuniteti i madh i izraelitëve me prejardhje në Marok”, tha Lapid para vizitës dyditore.
Ndryshe, Maroku ishte një nga katër shtetet arabe, bashkë me Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Sudanin, që vendosi t’i normalizonte raportet me Izraelin vitin e kaluar në bazë të marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.
Këto marrëveshje i zemëruan palestinezët, të cilët për një kohë të gjatë janë mbështetur në përkrahjen arabe për krijimin e shtetit të tyre në territoret e pushtuara nga Izraeli.