G7 bën bashkë njeriun e paqes me Presidentin e luftës. Papa Françesku është takuar në Pulja të Italisë me liderin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në sajë të samitit të udhëheqësve të 7 ekonomive më të mëdha të botës.
Sipas asaj që njofton zyra e Presidentit Zelensky, “ata diskutuan për pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës, terrorin ajror rus dhe situatën e vështirë në sektorin e energjisë”.
Papa Françesku dhe lideri i Kievit folën gjithashtu për Formulën e Paqes, rolin e Selisë së Shenjtë në vendosjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën. “Ne vlerësojmë pjesëmarrjen e Vatikanit në Samit dhe përpjekjet që synojnë të sjellin paqen, veçanërisht në lidhje me kthimin e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia”, lexohet në njoftimin e Zelenskyt.
Vlen të theksohet se ky samit i liderëve të G7 është historik, pasi për herë të parë në të merr pjesë një Papë. Mbërritja e tij ka shkaktuar shumë humor në fakt me Atin e Shenjtë që iu drejtua mikpritëses me fjalët “jam ende gjallë”.
Përgjigja e kryeministres italiane, Giorga Meloni ishte më të njëjtin ton humori: “Jemi ende gjallë të dy”.
Papa Françesku u prit me duartrokitje në sesionin e G7 të dedikuar inteligjencës artificiale, energjisë, Afrikës dhe Mesdheut. Ndër vendimet e rëndësishme të 7 ekonomive të mëdha të botës është krijimi i një koalicioni kundër trafikut të emigrantëve, mbështetja për planin e paqes të Zelenskyt, dënimi i shkeljes së të drejtave të grave dhe komunitetit LGBT, sanksionimi i bankave të Kinës që ndihmojnë Rusinë.
Në këtë samit të G7 ishin të pranishëm dhe një sërë liderësh të tjerë si ai i Indisë dhe Argjentinës. Të pranishmit gjetën një moment që të këndonin një urim për ditëlindjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz.