Kryeministri britanik, Boris Johnson, sot udhëtoi për në Ukrainë dhe u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Pas këtij takimi, Johnson ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë 120 automjete të tjera të blinduara dhe sisteme raketore kundër anijeve në Ukrainë, raporton Sky News.
Kryeministri britanik e cilësoi takimin me Zelenskyn si privilegj.
“Është një privilegj të jem në gjendje të udhëtojë drejt Ukrainës dhe të takojë personalisht presidentin Zelensky sot në Kiev. Ukraina ka sfiduar shanset dhe ka shtyrë forcat ruse nga portat e Kievit, duke korrur fitoren më të madhe të shekullit të 21-të”, shkroi fillimisht ai.4
Johnsoni më tej ka vlerësuar edhe rolin e Zelenskyt që nga fillimi i luftës, si dhe lavdëroi heroizmin e popullit ukrianas.
“Është për shkak të udhëheqjes së vendosur të presidentit Zelenskyt dhe heroizmit e guximit të pamposhtur të popullit ukrainas që synimet monstruoze të Putinit po pengohen. E bëra të qartë sot se Mbretëria e Bashkuar qëndron në mënyrë të palëkundur me ta në këtë luftë të vazhdueshme dhe ne jemi në të për një afat të gjatë”, ka thënë ai.
Kryeministri Johnson më tej ka thënë se përveç mbështetjes ushtarake, ata janë duke rritur edhe mbështetjen ekonomike për Ukrainën.
“Ne jemi duke rritur mbështetjen tonë ushtarake dhe ekonomike ndërsa po mbledhim një aleancë globale për t’i dhënë fund kësaj tragjedie dhe për të siguruar që Ukraina të mbijetojë dhe të lulëzojë si një komb i lirë dhe sovran”.