Kryeministri britanik, Boris Johnson, po përballet me zërat kundërshtarë, më të mëdhenj që nga koha kur ishte zgjedhur në krye të Britanisë së Madhe.
Kjo për masat e reja anti-COVID që pritet të merren, duke obliguar pajisjen me leje vaksinimi për të hyrë në ambienti të mëdha, si klubet e natës.
Një gjë e tillë po kundërshtohet nga deputetë konservatorë, ku 70 prej tyre pritet të votojnë kundër këtyre masave. Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se janë të shqetësuar me përhapjen e variantit Omicron të koronavirusit.
“Kryeministri është bërë i paaftë për ta bindur partinë e tij, i paaftë për ta bindur vendin e tij, sepse njerëzit kanë humbur besimin e gjykimin e tij. Kjo ka qenë një javë jashtëzakonisht e pafat për të gjithë ne, me të vërtetë. Kryeministrit të vendit nuk i besohet më për disa nga çështjet kyçe”, ka thënë Lucy Powell.
Laburistët kanë shprehur përkrahje ndaj këtij vendimi që pritet të futet në fuqi të mërkurën, derisa priten të votohen edhe një varg çështjës që kanë të bëjnë me koronavirusin.
Varianti Omicron është duke u përhapur me shpejtësi të madhe në Evropë, e më së shumti në Britaninë e Madhe. Kështu kanë bërë të ditur shkencëtarët anglezë në një studim të kryer, duke theksuar se Omicroni mund t’ia kalojë variantit Delta me përhapje, nga mesi i dhjetorit, në rast se shkon ky trend i shtimit të rasteve. Ndërkaq, të hënën është regjistruar edhe viktima e parë nga ky variant.