Një short relativisht të vështirë rezervuan goglat në Zyrih të Zvicrës për Shqipërinë, e cila do të sfidojë Anglinë nënkampione të Europës dhe Serbinë për një vend në Kupën e Botës 2026, që do të luhet në Meksikë, SHBA dhe Kanada.
Letonia dhe Andorra sakaq janë dy kundërshtarët e tjerë të Grupit K, nga të cilët pritet që kuqezinjtë e De Biasit të rrëmbejnë 12 pikë në 4 ndeshje, pasi shkojnë si favoritë përballë tyre.
Pas shortit që surprizoi jo pak me përballje me Serbinë, kuqezinjtë kanë mësuar edhe kalendarin e ndeshjeve, të cilat do të nisin me transfertën e “Wembly-t” përballë Anglisë që do të luhet më 21 mars 2025, në orën 20:45 dhe do të mbyllet me sfidën e fundit ndaj “Tre Luanëve” më 16 nëntor 2025, në po të njëjtën orë, në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Shqipëria do të luajë ndeshjen e dytë në këtë fazë kualifikuese më 24 mars, në shtëpi ndaj Andorrës, në orën 20:45.
Dy ndeshjet e radhës janë në qershor 2025. Ndeshja Shqipëri – Serbi do të luhet më 7 qershor, në orën 20:45. Pas 3 ditësh, më 10 qershor, kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Letonisë në transfertën balltike që luhet në orën 20:45.
Në shtator, skuadra kuqezi do të rikthehet për të luajtur vetëm një ndeshje në shtëpi. Takimi Shqipëri – Letoni do të luhet më 9 shtator, në orën 20:45.
Në tetor, kuqezinjtë do të luajnë në transfertën e Beogradit, e cila për shkak të historisë së ndeshjes së Euro 2016 cilësohet si problematike. Ndeshja Serbi – Shqipëri do të zhvillohet më 11 tetor, në orën 20:45.
Shqipëria do të mbyllë rrugëtimin në kualifikueset e Botërorit 2026 në muajin nëntor. Sfida Andorra – Shqipëri do të luhet më 13 nëntor, në orën 20:45 ndërsa supersfida me Anglinë më 16 nëntor, në po të njëjtën orë mbyll siparin e këtyre kualifikueseve.