Ashtu siç edhe u bë me dije pak ditë më parë, çështja e Rakip Sulit, kryebashkiakut të Kamzës vijon të hetohet në Prokurorinë e Posaçme.
Sipas të dhënave ditën e djeshme kanë mbërritur në prokurori personat që kanë kryer kallëzimin, ndërkohë që në këtë prokurori janë edhe disa kryebashkiakë të tjerë nën hetim. Ata akuzohen për shkak të problemeve me dëmshpërblimet për tërmetin dhe pabarazinë në tendera, por mësohet se ka sërish kryebashkiakë të tjerë nën hetim për çështjen e blerjes së votave.
Ishe Edison Memolla i Rrogozhinës, që u mor i pandehur pak ditë më parë pikërisht për një audiopërgjim për blerje votash në procesin e 6 marsit të vitit 2022, kohë kur u zhvilluan zgjedhje të pjesshme për pushtet lokal.
Ndërkohë që ndaj Sulit janë në verifikim dy akuza për të cilat ka pasur kallëzime nga ana e banorëve të bashkisë të cilën ai drejton për të dytin mandat.
Banorët e Kamzës janë paraqitur paraditen e djeshme në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë deklarimet e tyre për kallëzimin e depozituar në SPAK pak javë më parë ndaj kryebashkiakut socialist të Kamzës, Rakip Suli. Ata e akuzojnë këtë të fundit për disa shkelje dhe për korrupsion dhe në cilësinë e provave ata kanë paraqitur ndër të tjera edhe auditimin e KLSH-së, ku janë konstatuar shumë shkelje në Bashkinë e drejtuar nga Suli.
“Ne kemi paraqitur mënyrën si njoftohen këshilltarët bashkiakë për të bërë mbledhjet ‘online’, kjo në kundërshtim me ligjin për vetëqeverisjen vendore, por edhe në kundërshtim me vetë rregulloren e këshillit bashkiak. Këshilltarët e opozitës kanë kohë që i kanë kërkuar kryetarit të bashkisë dhe të këshillit bashkiak për t’i vënë në dispozicion një rregullore sesi funksionin këshilli bashkiak dhe kjo rregullore edhe sot, që kemi ardhur në SPAK, nuk vihet në dispozicion. Para SPAK kemi paraqitur raportin e auditimit të KLSH, i cili ka gjetur mjaft shkelje ligjore, vepra penale që lidhen me korrupsionin.
Kryesisht këto vepra penale lidhen me mënyrën si janë investuar shpenzimet e caktuara nga këshilli bashkiak i kaluar dhe në lidhje me parashikimet ligjorë që i korrespondonte vlerës 3% të strehimit sociale, ligji i cili është ndryshuar në kundërshtim me kushtetutën me një VKM të marrë në 2019 në kohën kur kjo bashki kishte autonomi nga pjesëmarrësit e PS. Në të gjithë këto vepra penale që ne denoncojmë, përfaqësuesit e koalicionit BF kanë kërkuar që të mbajë një qëndrim jo vetëm kryetari i bashkisë, por edhe këshilli bashkiak që në kundërshtim me ligjin kërkojnë që mbledhja të bëhet ‘online’, por edhe për vendimet që i marrin fshehtas.
Shpresojmë që SPAK të verë para përgjegjësisë kryetarin e bashkisë, kryetarin e këshillit bashkiak dhe zyrtarë të tjerë”, – tha avokatja Adriana Kalaja menjëherë pas depozitimit në SPAK të kallëzimit mesditën 11 shtatorit 2023. Kujtojmë se një javë më parë ishte kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, i cili i mor është marrë i pandehur nga SPAK nën akuzë për korrupsion në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022, ndërsa në GJKKO vijon procesi për Fredi Belerin e Himarës, edhe ky nën akuzë për blerje votash.
Edhe Kryebashkiaku i Këlcyrës, nën hetim nga SPAK
Një tjetër kryebashkiak është nën hetim në SPAK për blerje votash. Sipas të dhënave, bëhet me dije se Prokuroria e Posaçme po heton kryebashkiakun e Këlcyrës, Klement Ndoni, pasi akuzohet nga qytetarë të Këlcyrës se ka ofruar favore dhe para në këmbim të votës.
Prokurori Olsi Dado, i cili ka marrë në dorëzim procedimin penal nr.178 i vitit 2023, ka marrë disa persona në pyetje ndërsa sot në SPAK është paraqitur një tjetër qytetare për të cilën ka dyshime i është ofruar mbështetje në formë ryshfeti kundrejt votës për kryebashkiakun në 14 maj. Në mërkurën e kaluar prokurori pyeti një të moshuar 75-vjeçar për të cilin mësohet se ka deklaruar se përpara zgjedhjeve të 14 majit funksionarë vendor në Bashkinë Këlcyrë, i kanë ofruar ndihmë ekonomike dhe punësim të djalit të papunë në këmbim të votave të familjes së tij për kandidatin socialist për Klement Ndoni.
Sipas denoncuesit Agim Bakushllari, episodi kishte ndodhur në zyrat e Bashkisë vetëm dy ditë para zgjedhjeve lokale. Klement Ndoni mori më 14 maj 2023 mandatin e katërt në krye të Bashkisë Këlcyrë. Ai rezulton i kallëzuar edhe më parë në prokurori me akuzat për shpërdorim detyre, në disa projekte në qytet apo emërime në sektorin publik.