Vendet e Gjirit Persik mund të përballen me mungesë serioze të raketave kundër-dronëve brenda katër ditësh, mes një vale intensive sulmesh nga Irani.
Sipas një burimi për Daily Mail, në ritmet aktuale të përdorimit, rezervat e interceptorëve po konsumohen me një shpejtësi të paprecedentë.
Teherani ka shpërndarë sulmet në më shumë se pesë vende njëkohësisht, duke lëshuar mbi 2,500 dronë në ditë, çka ka detyruar këto vende të ndajnë sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore.
Shumica e predhave iraniane janë neutralizuar, por ekspertët paralajmërojnë se mjafton që vetëm disa të depërtojnë për të ndryshuar perceptimin e konfliktit dhe për të shkaktuar pasoja të mëdha ekonomike e psikologjike.
Pamje dramatike të publikuara së fundmi treguan një shpërthim të fuqishëm pranë Konsullatës Amerikane në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas burimeve amerikane, nuk pati të lënduar, por sulme të tilla rrisin ndjeshëm pasigurinë dhe mund të godasin industrinë e turizmit në rajon.
Dronët Shahed, të përdorur gjerësisht nga Irani, kushtojnë rreth 26 mijë paund për t’u prodhuar, ndërsa rrëzimi i tyre mund të kushtojë deri në 3 milionë paund për një interceptor të avancuar të blerë nga prodhues amerikanë.
Kjo diferencë e madhe kostoje po e vë në presion financiar mbrojtjen ajrore të vendeve të pasura me naftë të cilat brenda pak ditësh mund të mbeten në mëshirë të fatit ose… të aleatëve.
Sipas të dhënave zyrtare, Emiratet e Bashkuara Arabe janë shënjestruar nga rreth 200 raketa balistike, tetë raketa lundrimi dhe 689 dronë që nga fillimi i fushatës.
Edhe Bahreini, Kuvajti dhe Katari kanë raportuar sulme të shumta, ndërsa shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm mbeten të larta.


