Kina do të marrë masa drastike, nëse Tajvani bën lëvizje drejt pavarësisë, paralajmëroi një zyrtar kinez të mërkurën, duke shtuar se provokimet e Tajvanit dhe ndërhyrjet e jashtme mund të shtohen vitin e ardhshëm.
Ma Xiaoguang, zëdhënës i Zyrës për Çështjet e Tajvanit, tha se Kina është e gatshme që ta bëjë maksimumin për të kërkuar ribashkim paqësor me Tajvanin, por do të veprojë, nëse kalohet ndonjë vijë e kuqe për pavarësinë, shkruan Reuters.
“Nëse forcat separatiste në Tajvan, që kërkojnë pavarësi, provokojnë ushtrojnë forcë ose edhe nëse kalojnë ndonjë vijë të kuqe, ne do të detyrohemi që të marrim masa drastike”, tha zyrtari kinez.
Ma tha se provokimi nga forcat pro pavarësisë dhe ndërhyrjet e jashtme mund të rriten në muajt e ardhshëm. “Vitin e ardhshëm, gjendja në Ngushticën e Tajvanit do të bëhet më e ndërlikuar dhe më e ashpër”, tha ai.
Kina ka dërguar vazhdimisht aeroplanë në Ngushticën e Tajvanit në muajt e fundit për t’i bërë trysni Tajvanit. Kina pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj dhe në dy vitet e fundit e ka shtuar trysninë ushtarake e diplomatike ndaj ishullit që ka qeveri autonome demokratike.