Komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, duke komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ka thënë se sikur të mos ndërhynte KFOR-i “tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”. Gjenerali italian foli edhe për gjendejn shëndetësore të ushtarëve të KFOR-it që pësuan lëndime gjatë konfrontimit me protestuesit e dhunshëm në Zveçan, të hënën e 29 majit.
Në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica” komandanti i KFOR-it ka thënë se në Zveçan ka pasur njerëz të cilët “me qëllim e kanë nxitur turmën e banorëve serbë”, të cilët janë mbledhur prej katër ditësh para objektit komunal.
“Në sheshin në Zveçan ka pasur profesionistë të protestës të cilët me dashje kanë nxitur turmën”, ka thënë ai.
Duke folur për protestat ai ka arsyetuar ndërhyrjen e KFOR-it ndaj protestuesve të dhunshëm.
“Po të mos kishim ndërhyrë, tani do të mbanin zi për të vdekurit”, ka thënë gjenerali Ristuccia, transmeton Telegrafi.
“Kokëfortësia e autoriteteve vendore shqiptare për të mos vepruar sipas indikacioneve të marra nga partnerët ndërkombëtar, indikacione që shërbejnë për të lehtësuar dialogun veçanërisht pas progresit të bërë me marrëveshjet në Bruksel dhe Ohër, ka dobësuar shumë ekuilibrin. Për të qenë edhe më i saktë, them se nëse nuk do ishim sot këtu, do të mbanim zi për qytetarë serbë apo policë shqiptarë. Kjo është për shkak se KFOR-i ndërhyri dhe arriti të rivendosë qetësinë”, tha gjenerali italian.
Ai foli edhe për ushtarët e KFOR-it që pësuan lëndime gjatë konfrontimit me protestuesit e dhunshëm.
“Siç e dini, tridhjetë ushtarë të KFOR-it, 19 hungarezë dhe 11 italianë, pësuan një sulm frikacak gueril urban të hënën më 29 maj. Jam shumë pranë tyre dhe familjeve të tyre. Nëntë nga italianët janë në strukturën spitalore të bazës Camp Villaggio Italia, një është i shtruar në një strukturë në Prishtinë dhe një tjetër në Shkup. Mund të them se asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën, do të shërohen shpejt”, ka thënë ai.
Duke folur për sulmin frikacak ndaj ushtarëve të KFOR-it gjenerali italian tregon se çfarë e nxiti atë dhe me çfarë u sulmuan.
“Fakti që pesëmbëdhjetë policë kosovarë kishin mbetur të bllokuar për orë të tëra brenda tre automjeteve të blinduara të rrethuar nga turma gjithnjë e më e trazuar. Protesta kishte dalë jashtë kontrollit të vetë demonstruesve serbë dhe po të kishte ndërhyrë policia kosovare situata do të përkeqësohej edhe më shumë. Ndaj ne ndërhymë, siç e kërkon rregullorja e angazhimit të mandatit tonë, për të lejuar largimin e tre automjeteve. Në atë moment njerëzit tanë u goditën nga bomba letre që përmbanin copa hekuri dhe gozhda, kokteje molotovi dhe madje edhe të shtëna nga armë zjarri. Tre ushtarë hungarezë janë goditur, por janë jashtë rrezikut.
Gjenarali Ristuccia ka komentuar edhe pretendimet e faqes izraelite “Terror alarm” që monitoron lëvizjet e grupeve terroriste dhe paraushtarake, e cila ka plasuar lajmin se pjesëtarët e Brigadës Wagner, mercenarët rusë të Prigozhinit, janë nisur për në Kosovë.
“Deri më sot nuk ka asnjë dëshmi për praninë e tyre në këtë zonë. Shpesh këto janë lajme të prodhuara nga dezinformata dhe të pa verifikuara”, tha gjenerali italian.