Shqipëria ka kontraktuar një kompani britanike për t’i përfaqësuar në Hagë ku do të përballen me Greqinë për mosmarrëveshjen e kufirit detar.
Kështu ka konfirmuar në emisionin “Sot” të Euronews Albania, një ish-anëtar i grupit të negociatave për kufirin detar, Artur Mecollari.
Gjithashtu, ai deklaroi se kompania Omnia Strategy me qendër në Londër, e cila u kontraktua nga MPJ-ja jonë në korrik 2021, arriti në përfundimin se Shqipëria rrezikon të humbasë shumë nga hapësira e saj kufitare detare.
Kjo sipas Mecollarit erdhi si pasojë e vendosjes së Shqipërisë për përballjen me Greqinë në Gjykatën Ndërkombëtare pa rënë dakord paraprakisht për disa parakushte.
“Kjo kompani doli në përfundimin se vendimi për të shkuar në Hagë pa asnjë kusht ishte i nxituar. Duhet të kishim vendosur parakushtet tona”, tha Mecollari.
Rreth 2 vite më parë, Shqipëria dhe Greqia vendosën t’i drejtohen një Gjykate Ndërkombëtare për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre për kufirin detar, në bazë të së drejtës dhe ekspertizës ndërkombëtare.