Kongresi amerikan miratoi në orët e para të së shtunës një projektligj për buxhetin e shtetit që kap shumë prej 1.2 trilion dollarësh dhe ia dërgoi Presidentit Joe Biden për ta nënshkruar atë në ligj. Buxheti do të financojë qeverinë amerikane për vitin fiskal që filloi gjashtë muaj më parë dhe do të shmang një mbyllje të pjesshme të saj. Projektligji u miratua me 74 pro dhe 24 kundër.
Agjencitë kryesore federale, përfshirë Departamentin e Sigurisë Kombëtare, Departamentin e Drejtësisë, Departamentin e Shtetit dhe Thesarin, që përfshin agjencinë e tatimeve, do të financohen deri më 30 shtator pas miratimit të masës në Senatin me shumicë demokrate.
Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga republikanët, miratoi të premten një projektligj prej 1.2 trilion dollarësh për të financuar qeverinë deri në shtator, duke i lënë Senatit me shumicë demokratike orë të tëra për të vepruar përpara skadimit të afatit.Votimi 286-134 sinjalizoi fundin e një beteje më shumë se gjashtë mujore mbi buxhetin për vitin fiskal që filloi më 1 tetor.
Por lëvizja e Kryetarit republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili anashkaloi anëtarët e vijës së ashpër të grupit të tij parlamentar, duke e miratuar projektligjin me më shumë mbështetje të ligjvënësve demokratë sesa atyre republikanë, zemëroi ligjvënësen Marjorie Taylor Greene, e cila bëri thirrje për rrëzimin e tij nga posti i Kryetarit.
Kjo mund të shkaktojë një përsëritje të skenave të fillimit të tetorit, kur një grup i vogël republikanësh të linjës së ashpër të zemëruar që paraardhësi i zotit Johnson, Kevin McCarthy, kishte miratuar një buxhet të përkohshëm pavarësisht nga kundërshtimet e tyre, e rrëzuan atë nga posti i Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve.