Protestuesit të cilët po protestojnë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike sot në Prishtinë, janë afruar afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke u përplasur kështu edhe me Policinë e Kosovës.
Protestuesit kanë kërkuar nga policia që t’i lejojë të ngjiten në shkallët e hyrjes së ndërtesës së Qeverisë për të mbajtur fjalimet.
Policia nuk i ka lejuar dhe në këtë moment ka nisur një përplasje mes tyre.
Kryetari i PSD-së, parti kjo që ka organizuar sot protestën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, Dardan Molliqaj e ka quajtur policinë e Kosovës të dirigjuar politikisht.
Molliqaj ka thënë se Qeveria e Kosovës po fshihet pas policisë për t’i penguar.
“Kjo polici është e dirigjuar politikisht, para tri ditë këtu është mbajt protestë me të njëjtën kauzë dhe këtu nuk ka pasur policë. I kërkova mirëkuptim, filluan të më arrestojnë. Policë të pasjellshëm e të dirigjuar politikisht, nuk hyjmë në objekt se s’jam budall me hi në objekt. I njëjti komandant para tri dite nuk i ka qit policinë këtu, policia është këtu për të na penguar ne, sepse e kanë rrit çmimin e energjisë elektrike, e tash ju vjen marre”, ka thënë Molliqaj, teksa protestuesit shtyheshin me policinë.
Molliqaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka folur për shumë vjet për privatizimin, por tash nuk po bën asgjë për kompanitë e tilla. Ai e ka quajtur Kurtin frikacak.
“Kryeministri ka 10 vjet që ka fol për dëmet e privatizimit të distribucionit, askush më shumë se ai nuk i ka bë favor kësaj kompanie, KESCO. Për 2 muaj i ka nda nga taksat tona, nga buxheti 120 milionë euro. Por, s’ngihen kurrë. Kjo kompani përveç tyre ka qëllim ta bankrotojë KEK-un. Ia ka mbi 50 milionë euro borxh, rrymë që na u ka shitë ne. Kurrë mundësi më të mirë s’ka pasë qeveria se ta kthejë tash distribucionin në shërbim të qytetarëve. Problemi është se brenda kësaj ndërtese është një frikacak, tuc, që veten e sheh si supermen. Bash që është tuc, është shumë i rrezikshëm. Ky njeri nuk ka as shok as shoqe që të bashkëpunojë. Trimat kanë shok dhe shoqe, tucat kanë instrumente e masha për ta ruajtur veten”.
“Ai vendim i ZRRE-së duhet tani të hedhet poshtë. Sot ka qytetarë aktivë, jemi ne, këtë vendim nuk do ta lejojmë të kalojë”, ka shtuar Molliqaj.

