Pamje nga rinovimi i stadiumit të Barcelonës, ‘Camp Nou’ janë shfaqur dhe duket se rikthimi i blaugranasve në shtëpinë e tyre të vjetër nuk do të ndodhë së shpejti.
Gjiganti katalanas ka investuar rreth 1.25 miliardë euro për t’i dhënë një pamje të re stadiumit të tyre.
Plani fillestar ishte që ta përfundojnë në kohë rinovimin e stadiumit për ta festuar 125-vjetorin e klubit në nëntor të vitit 2024.
Ky afat kohor tashmë ka kaluar dhe asnjë fjalë nuk është thënë mbi atë se kur do të jetë ‘Camp Nou’ sërish i gatshëm që të jetë nikoqir i ndeshjeve të Barcelonës.
Sipas këtij projekti ambicioz ishte paraparë që kapaciteti i këtij stadiumi ikonik të rritet nga 99,354 mijë në 105,000 mijë spektatorë.
Disa pamje që janë publikuar nga mediat spanjolle shfaqin se tifozët nuk do të jenë në gjendje të futen në ‘Camp Nou’ në një të ardhme të afërt.
https://twitter.com/elchiringuitotv/status/1900357938725765538
Një raportim i fundit nga Relevo ka pretenduar se çatia e stadiumit nuk do të instalohet deri në verën e vitit 2026.
Barcelona mund të rikthehet atje para kësaj date, ku po spekulohet për datën e tetorit të këtij viti si një kohë e mundshme që ata të luajnë sërish në stadiumin e tyre.
Me të përfunduar punimet, ‘Camp Nou’ do të jetë stadiumi më i madh në botë, ashtu siç është paraqitur edhe në imazhet konceptuale të publikuara nga klubi.