Me ftesë të Papa Françeskut, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, vizitoi shtetin e Vatikanit, ku u prit në një audiencë të veçantë nga Papa.
Sipas njoftimit, në takimin kokë më kokë, që ka zgjatur 30 minuta, bashkëjetesa paqësore ndërmjet feve në Shqipëri, Dokumenti i Vëllazërisë Njerëzore i nënshkruar midis Imamit të Madh të Al-Az’har, Ahmed Tajib dhe Papa Fançeskut, ishin temë kryesore e bisedës që Spahiu zhvilloi gjatë audiencës me Papën.
“Dy krerët e lartë ndanë mendime të njëjta për rolin që luan feja në marrëdhëniet ndërnjerëzore, kontributin që ajo luan për ruajtjen e këtyre vlerave, sidomos në mbrojtjen e familjes, si qelizë themelore e shoqërisë, rol të cilin ata e vlerësuan si të pa çmueshëm”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Më tej në njoftim thuhet se “Papa vlerësoi rolin e veçantë që luan Kryetari Spahiu në promovimin dhe përhapjen kudo në Shqipëri të Dokumentit të firmosur në Abu Dabi mbi vëllazërimin njerëzor”.
“Kryetari Spahiu gjatë audiencës i kërkoi Papa Françeskut mbështetjen e shtetit të Vatikanit për pavarësinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Takimi midis Papës dhe Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është i pari në llojin e tij që prej themelimit të KMSH-së.