Pas 24 viteve, miti i futbolli anglez Gary Lineker nuk do të drejtojë më një nga programet sportive më të rëndësishme të BBC, i quajtur “Match of ther Day”.
Arsyeja? Deklaratat e ish-kapitenit anglez për ligjin e ri të Londrës zyrtare kundër emigracionit, që ndër të tjerat do të pengojë klandestinët nga çdo mënyrë ligjore për të kërkuar azil.
Lineker me një postim në Twitter përshkruante masat si “një politikë jashtëzakonisht mizore e drejtuar ndaj njerëzve vulnerabël dhe me një gjuhë që nuk është e ndryshme nga ajo e përdorur nga Gjermania në vitet ’30”.
Postimi i moderatorit të BBC nuk i ka pëlqyer ministres së Brendshme Suella Braverman, e cila akuzoi Lineker se me krahasimin historik ai “po zvogëlonte tragjedinë e Holokaustit”.
Ditën e sotme, është vetë BBC që ka njoftuar moderatorin që paguante më shumë nga të gjithë, rreth 1,5 milionë euro në vit, që të tërhiqej nga drejtimi i programit ikonik, deri sa të ndryshojë rrënjësisht mënyra e komunikimit të tij në rrjetet sociale.
Në shenjë solidariteti, edhe bashkëpunëtorët dhe të ftuarit e përhershëm të emisionit, si ish-sulmuesi Ian Wright , deklaruan se nuk do të merrnin më pjesë.
“Gary Lineker nuk diskutohet për fushën e futbollit, por i kemi thënë se ai duhej të mbante distancë nga çdo çështje politike”, ishte mbrojtja e televizionit shtetëror, i cili u kritikua edhe nga kryeministrja Skoceze Nicola Sturgeon, e cila cilësoi vendimin si diçka “të pambrojtshme, dhe një cenim i lirisë së fjalës”.