Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim në Bruksel me komisionaren e re për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos.
Gjatë takimit Kurti ka informuar në detaje për sulmin terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës në kanalin ujor të “Ibër-Lepencit”.
Kurti theksoi se hetimet lidhur me sulmin janë në vazhdim dhe zbuloi se ndër konfiskimet e bëra, përveç armatimit dhe municioneve, janë gjetur edhe 74 emblema ushtarake, nga të cilat 20 i përkasin njësive të ndryshme ushtarake ruse, përveç atyre serbe.
Në këtë takim të parë që nga marrja e detyrës nga Kos, kryeministri i Kosovës ripërsëriti kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Ai theksoi se vendi meriton marrjen e pyetësorit dhe statusin e kandidatit, duke bërë thirrje për heqjen e masave ndëshkuese që kanë qenë në fuqi për më shumë se një vit.
Kurti shprehu gjithashtu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e Planit të Rritjes, një instrument kyç për zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e integrimit në BE.