Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur gatishmëri që vendi i tij t’i strehojë azilkërkuesit e refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar, në këmbim të mbështetjes në fushën e sigurisë.
Kurti, i cili ndodhet në Londër për Samitin e Procesit të Berlinit, tha të martën për gazetën e përditshme britanike Times se “ne duam ta ndihmojmë Mbretërinë e Bashkuar”.
“E vlerësojmë këtë si detyrën tonë miqësore dhe politike. Kemi kapacitete të kufizuara, por duam të ndihmojmë dhe, ndërkohë që flasim, ka komunikim të rregullt midis ekipeve tona të zyrtarëve shtetërorë nga Ministria jonë e Punëve të Brendshme dhe juristëve për mënyrën se si ta bëjmë këtë proces sa më të qetë dhe të dobishëm për të dyja palët”, theksoi Kurti.
Ai shtoi se, në këmbim, Kosova do të dëshironte “të marrë kryesisht mbështetje në fushën e sigurisë, qoftë përmes marrëveshjeve strategjike, apo përmes pajisjeve dhe projekteve që mund t’i realizojmë”.
“Natyrisht, duam që si vend të përfitojmë, por e konsiderojmë, para së gjithash, detyrë tonën t’ju ndihmojmë, sepse ju na keni ndihmuar shumë dhe këtë nuk do ta harrojmë kurrë”, nënvizoi ai.
Muaj më parë, Qeveria në detyrë e Kosovës ishte shprehur e hapur për biseduar më Britaninë për ndërtimin e qendrave për strehimin e azilkërkuesve të refuzuar nga ky vend.
Por, kjo është hera e parë që ajo ofron haptazi se është e gatshme për këtë dhe Kurti i bëri këto komente një ditë para samitit që do të udhëhiqet nga kryeministri britanik, Keir Starmer, dhe në të cilin ai do të marrë pjesë.