Kuvendi i Kosovës ndalon referendumin e Serbisë në Kosovë

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kuvendi i Kosovës me 76 vota pro ka miratuar rezolutën kundër lejimit të organizimit të referendumit të Serbisë brenda territorit të Kosovës. Pos Vetëvendosjes si parti në pushtet, rezoluta u përkrah nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Driton Selmanaj i LDK-së abstenoi.

Përmbajtja e rezolutës:

1. Kuvendi si përfaqësues i qytetarëve shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Serbisë në Kosovë cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës dhe është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe normat ndërkombëtare.

2. Kuvendi kërkon nga Qeveria dhe institucionet gjegjëse të ndërmerren veprimet për të mos lejuar cenimin e sovranitetin dhe rendin kushtetutës nga mbajtja e referendumit të një shteti të huaj në territorin e Kosovës.

3. Kuvendi thekson përkushtimin e Kosovës për të garantuar dhe mbrojtur të gjitha të drejtat e shtetasve të Kosovës në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën.

4. Kuvendi në këtë frymë vë në pah të drejtën e qytetarëve me dyshtetësi të Kosovës të ushtrojnë të drejtën e votës në përputhje me standardet kushtetuese dhe praktikat ndërkombëtare, në rastin konkret, qytetarëve serbë që kanë shtetësi edhe të Serbisë u garantohet e drejta të votojnë përmes postës dhe zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

5. Kuvendi thekson se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës dhe përfshirja e strukturave ilegale në një organizim të tillë përbën shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës të Kosovës dhe praktikave ndërkombëtare.

6. Kuvendi shpreh kundërshtim ndaj veprimeve të vazhdueshme të Serbisë për të instrumentalizuar dhe keqpërdorur qytetarët serbë të Kosovës në shërbim të politikave të veta armiqësore kundër Kosovës.

7. Kuvendi mirëpret qëndrimet e prera të bashkësisë ndërkombëtare për sundimin e ligjit në Kosovë dhe pret mbështetjen për të drejtat legjitime dhe qasjen parimore të Kosovës sepse vetëm duke u trajtuar të barabartë të gjitha shtetet e rajonit mund t’u garantohet stabiliteti, demokracia dhe fryma euro-atlanatike e rajonit. Kërkojmë nga Qeveria të vazhdojë bashkërendimin me partnerët strategjikë të Kosovës në interes të ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe sovranitetit shtetëror.

8. Kuvendi mbetet i përkushtuar për të dhënë kontributin për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të drejtave të qytetarëve dhe garantimin e demokracisë dhe vazhdimin e agjendës euro-atlantike të rajonit tonë.

Share This Article