Në mars të këtij viti një nga rrugët kryesore detare në botë, Kanali i Suezit, u bllokua për gati një javë nga një anije gjigante me kontejnerë.
Dy javë më vonë në prill, presidenti rus Vladimir Putin, njoftoi se rruga e Detit të Veriut, rruga detare që lidh Evropën me Azinë Lindore përmes Arktikut – së shpejti do të jetë e hapur për lundrim gjatë tërë vitit.
Rruga, që kalon përmes gjashtë deteve të Oqeanit Arktik përgjatë bregdetit Arktik të Rusisë, zakonisht është e hapur vetëm nga qershori deri në nëntor.
Në nëntor akulli zakonisht bëhet më i trashë dhe madje edhe akullthyesit bërthamorë të fuqishëm mund të notojnë me shpejtësi prej disa kilometrash në orë.
Sidoqoftë, përderisa ngrohja globale vazhdon ta godasë Arktikun, sasia e akullit është ulur për 40 për qind krahasuar me vitet ‘80, sipas një raporti të botuar nga Programi i OKB-së për Mjedis dy vjet më parë.
Ekspertët thonë se Kalimi Verilindor mund ta zvogëlojë distancën e udhëtimit nga Azia Lindore në Evropë nga 21,000 kilometra sa duhen për të kaluar përmes Kanalit të Suezit, në 12,800 kilometra.
Sidoqoftë, anijet që lundrojnë në itinerar do të duhet të jenë të përshtatshme për të lundruar në zona ku ka akull të trashë. Kjo, sipas ekspertit Sergey Zhavoronki, ka kosto të lartë.
“Disavantazhi kryesor i itinerarit të Detit Verior është se të gjitha anijet duhet të jenë të përshtatshme për të lundruar në akull. Kostoja e operimit të tyre është më e madhe se kostoja e anijeve të rregullta të përdorura në ujërat e jugut”, ka thënë ai.
Në përpjekje për ta mundësuar lundrimin gjatë tërë vitit, agjencia bërthamore shtetërore ruse Rosatom testoi akullthyesin e saj bërthamor në temperatura ekstreme këtë dimër.
Agjencia tha se akullthyesi drejtoi me sukses një cisternë me gaz të akullit nga kepi i Dezhnevit në Gjirin e Obit, duke kaluar nëpër pothuajse 4000 kilometra me trashësinë maksimale të akullit që arrin 1.5 metra.
Megjithëkëtë, Balsamov ende beson se shpejtësitë e ulëta të shkaktuara nga lundrimi në akullin e detit do t’i pengojnë kompanitë të marrin rrugë gjatë dimrit.
“Të kalosh nëpër akull është diçka tjetër dhe krejt tjetër është të kalosh nëpër akull të ngurtë me një shpejtësi prej 5.5-7.4 km në orë. Askush nuk do të interesohet për këtë, kur do të ketë nevojë për 27.7 km në orë”.
Tre vjet më parë, Putini kishte vendosur si synim që të arrinte 80 milionë tonë trafik të ngarkesave deri në vitin 2024. Vitin e kaluar trafiku ishte rreth 33 milionë tonë.
Kreu i ndërmarrjes së gazit natyror “Novatek” që zotëron fabrikën e gazit natyror të lëngshëm në Yamal këtë javë i premtoi Putinit se deri në vitin 2030 kompania e tij do të arrijë 90 milionë tonë qarkullim të ngarkesave në rrugën e Detit të Veriut.