Portugalia ua ka ndaluar shefave që t’ju dërgojnë punonjësve mesazhe dhe letra në postë elektronike jashtë orarit të punës, si pjesë e pakos së ligjeve që quhen “drejt e në pushim”.
Siç raporton BBC, ky vendim është pjesë e ndryshimeve të disa ligjeve me qëllim që të baraspeshohet jeta private me atë profesionale, në veçanti në kohën kur shumica po punojnë nga shtëpia, transmeton Telegrafi.
Kompania me mbi 10 të punësuar do të mund të ballafaqoheshin me dënime të ashpra, nëse kontaktojnë punonjësit jashtë orarit të punës dhe të diskutojnë për punë.
Janë miratuar edhe disa ligje të reja për punën nga distanca për punonjësit që kanë fëmijë. Prindërit munden pa kufizime kohore të punojnë nga shtëpia, dhe për këtë të mos kërkojnë leje nga punëdhënësi, derisa fëmijët e tyre të mos mbushin tetë vjet.
Kompanitë do të detyrohen t’i paguajnë edhe pjesën e shpenzimeve për punë nga shtëpia, siç është fatura e energjisë elektrike apo internetit.
Për faktin se tek punëtorët mund të shfaqet ndjenja e të qenit i izoluar, nga kompania pritet që vazhdimisht të organizohen takime fizike.
Megjithatë, disa elemente të kësaj pakoje të ligjeve nuk janë pranuar në parlamentin portugez, përfshirë edhe të drejtën në “shkyçje” që do t’ju mundësonte punonjësve të shkyçin të gjitha pajisjet pas orarit të punës.