Një grua franceze, që e kishte vrarë njerkunë e saj, i cili e kishte dhunuar në moshën 12-vjeçare dhe më pas ishte bërë bashkëshort i saj, është dënuar për vrasje të paramenduar, por nuk do të qëndrojë më në burg për shkak të natyrës së dënimit.
Valerie Bacot përjetoi dhunë për më shumë se 20 vite në duart e Daniel Polette-s, me të cilin kishte katër fëmijë. Në gjykatë u tha se ajo e qëlloi për vdekje Danielin pasi ai kishte filluar që ta detyronte bashkëshorten në prostitucion me persona të panjohur dhe pasi kishte frikë se tashmë i ndjeri do të fillonte të abuzonte edhe me vajzën e tyre adoleshente.
Seanca në gjykatën në Saone-et-Lore zgjati gati pesë orë të premten, para refuzimit të pretendimeve të ekipit mbrojtës se Bacon nuk ishte në gjendje normale mendore në kohën e vrasjes, duke e shpallur atë fajtore, shkruan The Guardian.
Ajo u dënua me katër vite burgim, tri prej të cilave burgim me kusht. Duke e marrë parasysh kohën e kaluar në paraburgim deri më tash, Bacot nuk do të kthehet më në burg.
Në sallë të gjykatës pati duartrokitje të shkurtër, kur gjykatësi i rastit i tha të dënuarës se është e lirë që të largohet nga Pallati i Drejtësisë.
Më herët gjatë ditës, seanca ishte ndërprerë, sepse Bacot-it i ra të fikët, kur prokurori kërkoi dënim, por jo kthim të saj në burg.