Anëtari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, John Coates ka thënë të shtunën se Lojërat e shtyra të Tokios mund të përfundojnë si Lojërat më të mëdha në histori.
Tokio 2020 është shtyrë për vitin e ardhshëm për shkak të përhapjes së Covid – 19. Madje ka pasur raportime se Lojërat mund të anulohen plotësisht nëse nuk zbulohet vaksina së shpejti.
Por Coates ka përmendur Lojërat Verore që pasuan dy luftërat botërore të shekullit të kaluar për të prognozuar një ngjarje të jashtëzakonshme. Coates është president i Komitetit Olimpik të Australisë dhe udhëheqës i inspektoratit të IOC-së për Lojërat Olimpike. Ai është figurë e vlerësuar lartë në IOC.
Sipas Coates, Lojërat e Tokios mund të jenë edhe më të mira se ato të Sydney 2000, që nga udhëheqësi i atëhershëm i IOC-së, Juan Antonio Samaranch ishin vlerësuar si “Lojërat më të mira ndonjëherë”.
“Pritja për Olimpiadë është e gjatë, ndërsa ne duhet të presim edhe më gjatë këtë herë. Lojërat e Tokios do të kenë jehonën e Lojërave tjera të pritura më gjatë si ato në Antwerp në vitin 1920 dhe në Londër në vitin 1948”, ka thënë Coates, raporton Reuters.
“Besoj se Lojërat Olimpike të Tokios mund të jenë prej më të mirave ndonjëherë, nëse jo më të mirat”.