Gjokoviq: Do të sakrifikoj trofetë nëse më kërkohet të vaksinohem

 244 total views,  2 views today

Tenisti serb, Novak Gjokoviq, ka thënë se do të mungojë në trofetë e mëdhenj të tenisit nëse i kërkohet të marrë vaksinën anti-COVID.

Në një intervistë për BBC-në, të parën që kur u përjashtua nga Australia dhe iu pamundësua pjesëmarrja në “Australian Open”, Gjokoviq ka thënë se s’është pjesë e grupit anti-vaksinim, por se e përkrah të drejtën individuale për zgjedhje.

Gjokoviq u pyet nëse do të sakrifikonte pjesëmarrjen në turnetë tjera si Wimbledon dhe Frenc Open për shkak të qëndrimit të tij ndaj vaksinës.

“Po, ky është çmimi që jam i gatshëm të paguaj”, ka thënë ai.

Fituesi i 20 Grand Slameve u dëbua nga Australia muajin e shkuar pasi Qeveria ia anuloi vizën për shkak të çështjes së vaksinës.

Gjokoviq, që është numri një në botë, kishte thënë se ka marrë leje mjekësore për të marrë pjesë në këtë turne pasi sapo e kishte kalua virusin, por shteti ia anuloi vizën.

“S’kam qenë kurrë kundër vaksinimit”, ka thënë ai për BBC-në duke shtuar “por gjithmonë kam përkrahur lirinë e zgjedhjes se çka merr në trup”.

Gjokoviq ka thënë se shpreson që kërkesa për vaksinë të ndryshojë duke shtuar se beson që do të luajë edhe për shumë vjet.

Ai po ashtu ka konfirmuar se është i gatshëm të tërhiqet edhe nga gara për më të suksesshmin në histori pasi që Rafael Nadali me triumfin në “Australian Open” arriti në trofeun e 21-të.

“Sepse parimet e vendimit se çka të marr në trupin tim janë më të rëndësishme se çfarëdo titulli apo diçka tjetër”, ka deklaruar më tej serbi.