Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naço denoncoi sot shkeljet dhe presionet ndaj përfaqësuesve të Bashkisë Skrapar.
Ai tha se disa muaj më parë, përfaqësues të Partisë Socialiste të dirigjuar nga deputeti i tyre bllokuan ndihmën ekonomike për rreth 600 familje duke bërë presion në shkëmbim të votës.
“Sot përsëri të dirigjuar prej tyre, dega e Thesarit Skrapar, në kundërshtim më çdo akt ligjor dhe nënligjor ka bllokuar veprimtaritë financiare: 1-furnizimin me ujë të konvikteve, 2-furnizimin me ujë të çerdheve, 3-furnizimin me ushqim të qendrës së fëmijëve me aftësi të kufizuar, 4-pagat e punonjësve, si dhe ka bllokuar çdo shërbim ndaj komunitetit. Zonja Ministre e Financave! Ju drejtohem publikisht të urdhëroni menjëherë degën e thesarit Skrapar për të zhbllokuar këtë gjendje kriminale, shkarkimin e menjëhershëm të drejtuesve të këtij institucioni dhe të kërkoni ndjekjen penale të tyre”, u shpreh Naço.