Mali i Zi përparon drejt BE-së, Shqipëria ngec, Rama lë peng integrimin për hir të Ballukut

albnews
By
4 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Mali i Zi dhe Shqipëria ndodhen në faza të ndryshme në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa përparimi i Malit të Zi shfaq kontrastin e qartë me pengesat që po has Shqipëria.

Më 17 mars në Bruksel, Mali i Zi mbylli kapitullin 21 të negociatave për Rrjetet Trans-Evropiane, duke e çuar totalin e kapitujve provizorisht të mbyllur në 14 nga 33 kapituj.

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, vuri në dukje se Mali i Zi është vend kandidati më i avancuar në rrugën drejt BE-së, por paralelisht theksoi se “shumë punë ende ka përpara, me fokus të fortë te sundimi i ligjit”.

“Mali i Zi është vendi kandidat më i avancuar në rrugën drejt BE-së. Sot mbyllëm një kapitull tjetër negociues, duke e çuar totalin në 14. Por ende ka shumë punë përpara. Tani është momenti të vazhdojmë ritmin e reformave, me fokus të fortë te sundimi i ligjit”, deklaroi Marta Kos, raporton EWB.

Në kontrast, Shqipëria po përballet me pengesa që mund të ngadalësojnë ose të rrezikojnë procesin e saj të integrimit.

Në një artikull të botuar disa javë më parë në KOHA.net, disa diplomatë në Bruksel, pohonin se dështimi i Kuvendit për t’i hequr imunitetin ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, rrezikon rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së.

Shtetet anëtare të BE-së presin që politika të mos pengojë sundimin e ligjit dhe se për këtë, nuk do të jenë të gatshme të miratojnë raportin IBAR, i cili është i domosdoshëm për nisjen e mbylljes së kapitujve të anëtarësimit.

Diplomatët evropianë kanë theksuar se vendet anëtare dëshirojnë të shohin dëshmi konkrete se politika nuk pengon sundimin e ligjit dhe se Shqipëria do të vazhdojë me ritëm reformash të njëjta siç ka bërë më parë.

Në dy takimet e fundit të datës 6 dhe 13 marsit grupi i punës në Këshillin e Bashkimit Europian nuk ka gjetur dakordësinë e vendeve anëtare për të lejuar Tiranën të kalojë në një stad tjetër të negociatave.

Vetë Rama mohon që vendimi i marrë nga ai dhe mazhoranca të bllokojë integrimin e Shqipërisë, duke u shprehur me bindje se partnerët ndajnë opinione të ndryshme mbi imunitetin.

“Por, unë ju siguroj që asnjë mënyrë që rruga jonë drejt anëtarësimit nuk është bllokuar dhe nuk do bllokohet për këtë shkak. Është e vërtetë që kemi pasur një diskutim shumë konstruktiv me disa partnerë, të cilët kanë një opinion të ndryshëm, të cilët kanë komplet një tjetër qasje ndaj imunitetit në vendet e tyre se në vendet e tyre nuk fillon dot asnjë hetim pa marrë një herë autorizimin e parlamentit. Ne nuk kemi imunitet të kësaj natyre në Shqipëri”, tha Rama.

Por, çfarë është IBAR?

Më 25 qershor 2024, Komisioni Evropian certifikoi se Mali i Zi ishte vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që kaloi pengesën e IBAR-it. “Raporti i Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve” (Interim Benchmark Assessment Report), një raport i përkohshëm mbi sundimin e ligjit, shërben si një pikë reference për progresin e një vendi kandidat për anëtarësim në BE në këtë fushë.

Një IBAR pozitiv është konfirmim i hapave të suksesshëm të ndërmarrë nën kapitujt negociues 23 (Drejtësia dhe të Drejtat Themelore) dhe 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria) të procedurës së anëtarësimit dhe tregon rrugën për reforma të mëtejshme. Miratimi i IBAR-it është një hap i nevojshëm për të mundësuar mbylljen e kapitujve negociues të anëtarësimit dhe për të avancuar rrugën drejt BE-së.

Ky raport përdoret nga Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare për të përcaktuar nëse vendi kandidat ka përmbushur kriteret e reformave, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe përmirësimit të administratës publike.

Share This Article