Dërgesa e parë prej 4.680 vaksinave kundër COVID-19 nga Serbia arriti në Maqedoninë e Veriut në vendkalimin kufitar Tabanoc
Dërgesa e parë prej 4.680 vaksinave kundër COVID-19 nga Serbia arriti në Maqedoninë e Veriut në vendkalimin kufitar Tabanoc, raporton Anadolu Agency (AA).
Në pranim-dorëzimin e vaksinave mori pjesë delegacioni i Serbisë i udhëhequr nga presidenti, Aleksandar Vuçiç ndërsa mysafir i tij ishte kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Pas pranim-dorëzimit të vaksinave kryeministri Zaev dhe presidenti Vuçiç mbajtën konferencë për media.
Kryeministri Zaev, duke theksuar se dërgesa e parë e 4.680 vaksinave nga Pfizer është një akt i çmuar miqësie nga Serbia, tha se Republika e Serbisë dhe populli serb ndajnë vaksinat e tyre në solidaritet me popullin e Maqedonisë së Veriut.
“Paketa prej 4.680 vaksinave nga gjithsej 8.000 vaksina është shprehje e një miqësie dhe fqinjësore për ndihmë dhe ndihmë të parë për qytetarët maqedonas derisa të mbërrijnë vaksinat që ne i porositëm”, tha Zaev.
Ai theksoi se kjo krizë planetare ka nxjerrë më të mirën nga njerëzimi që është bashkëpunimi, miqësia dhe solidariteti. Kryeministri Zaev tha se kjo ngjarje është rezultat i miqësisë dhe mbështetjes së ndërsjellë midis popujve dhe shteteve.
“Ky solidaritet dhe mbështetje është një shprehje e traditës në rajon e cila sërish është në skenë. Dhe, kjo është dora e parë për të ndihmuar fqinjin më të afërt. Ky akt i forcon dhe u jep një perspektivë të ndritshme marrëdhënieve midis Maqedonisë dhe Serbisë”, tha Zaev.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç në konferencën për media tha se Serbia nuk ka interes tjetër përveç se të tregojë miqësi ndaj popullit maqedonas dhe gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.
“Një mik i vërtetë është ai që do të ndihmojë kur je në situatë të vështirë, kur ke probleme, kur ke nevojë për diçka, jo kur e keni lehtë dhe mirë”, tha Vuçiç.
Presidenti Vuçiç duke theksuar se kjo është një dhuratë e thjeshtë, tha se ai beson se kjo sasi e vaksinës do të jetë e mjaftueshme për shumicën e personave që punojnë në zonat e COVID dhe personat që janë më të rrezikuar.
Dërgesa e vaksinave nga Serbia duhej të mbërrinte disa ditë më parë por u shty për shkak të arsyeve teknike, për shkak të harmonizimit të dokumentacionit teknik.
Bëhet fjalë për 8.000 vaksina nga “Pfizer” që Serbia i jep Maqedonisë së Veriut.