Vaksinimi kundër Covid-19 në vend fillon nesër, edhe atë së pari me vaksinimin e punonjësve shëndetësorë nga Klinika Infektive në Shkup. Autoritetet konfirmuan se përgatitjet për vaksinimin masiv janë duke u zhvilluar, ndërsa deri në fund të muajit priten edhe vaksinat kineze.
Vaksinimi do të fillojë të mërkurën në ora 10, në spitalin modular të Klinikës për sëmundje infektive dhe gjendje febrile.
Ministria e Shëndetësisë kumtoi se pika në spitalin modular ku ka gjashtë pozicione vaksinimi, do të funksionojë në dy turne nga ora 8 e mëngjesit deri në ora 20 e mbrëmjes, ndërsa vaksinimin do ta kryejnë ekipet mjekësore nga Qendra shëndetësore Shkup. Sipas planit të përcaktuar, oraret për vaksinim do të jenë në 10 minuta.