Projekti, i njohur si ‘Project92’, është sfida e Mark Zuckerberg ndaj Twitter-it të Elon Musk. Është një platformë e re, e ngjashme, por më efikase se ajo e krijuar nga Elon Musk, e cila tashmë ka tërhequr vëmendjen e të famshmëve të shumtë me miliona ndjekës.
Chris Cox, shefi i produktit i kompanisë Meta, që zotëron Facebook dhe Instagram, njoftoi idenë e një Twitter 2.0 gjatë një takimi me drejtues të lartë, siç raportohet nga faqja e specializuar “The Verge”. Cox shpjegoi se ata kanë dëgjuar kërkesat e krijuesve dhe personazheve publike, të cilët duan një platformë të mirë-drejtuar, të besueshme dhe në të cilën mund të mbështeten për të përhapur përmbajtjen e tyre.
Cox pohoi gjithashtu se tashmë është në kontakt me Oprah Winfrey, prezantuesja e famshme amerikane dhe Dalai Lama, të cilët kanë përkatësisht 42 dhe 19 milionë ndjekës në Twitter. Këta personazhe thuhet se janë gati të largohen nga Twitter për t’iu bashkuar Metës. Kodi për ‘Threads’, emri i produktit të ri, ka nisur në janar dhe pritet të lansohet sa më shpejt.