Avokati Përparim Çaça tha përmes një interviste televizive, se nuk është pjesa burokratike arsyeja pse marrëveshja mes Shqipërisë dhe Britanisë për transferimin e një pjese të të dënuarve ka mbetur ende në letër, por fakti se vendi ynë nuk i ka kushtet për ta bërë këtë gjë.
Sipas Çaçës, në burgjet shqiptare ka problematika të mëdha me mbipopullimin dhe mënyrën si trajtohen të burgosurit në Shqipëri.
“Ajo e 2021, jo që nuk është zbatuar, por nuk ka filluar fare. Po marrim atë të 2023, që u anonçua nga ministri Manja aso kohe ku të paktën 200 të dënuar, presupozohet se në maj të 2025 do duhej të vuanin pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri. As kjo nuk ka ndodhur. Ka një problem shumë të madh në kuptimin e implementimit apo të zbatimit e cila ka disa arsye.
Nuk është vetëm pjesa burokratike në rastin konkret.
Para se të shkruajmë një marrëveshje duhet të shohim i kemi apo nuk i kemi kushtet për të bërë këtë transferim në burgjet tona, apo në institutet tona penitenciare. Me të vërtetë ka shumë kërkesa, problem është që pikë së pari ne kemi probleme shumë të mëdha me institutet tona penitenciare këtu. Ka mbipopullim të jashtëzakonshëm. Avokati i Popullit duhet të azhornohet dhe të shohë si janë kushtet në burgun e Peqin, si janë në burgun e Fushë Krujës, sa persona janë së bashku. Nuk po merrem fare me këto në kryeqytet, ai tek Mine Peza është skandaloz. Ka problematika të mëdha me mbipopullimin, ka problematika të mëdha në kuptimin infrastrukturor, logjistik. Ka problematika të mëdha në implementimin qoftë edhe të trajtimit të tyre sipas legjislacionit duke qenë të dënuar.
Edhe pse nuk kanë qenë kushtet në rastin konkret, mund të jenë lënë disa nënkushte për t’u plotësuar që të shkonin drejt implementimit të kësaj marrëveshje. Nuk e dimë çfarë mund të ketë ndodhur përtej asaj që shohim. Fakti është që minimalisht do duhej të kishte një prononcim.”
Më tej Çaça tha se në burgjet shqiptare respektimi i të drejtave të njeriut është shumë larg asaj që pretendohet në letra.
“Një qytetar që është duke vuajtur dënimin duhet të ketë disa të drejta themelore të drejtave të njeriut të cilat duhet të zbatohet. Tek ne, e them me keqardhje, nuk i afrohemi fare, në letër i kemi, ndoshta më bukur sesa ato të vendeve të BE-së, por implementimi i tyre lë shumë për të dëshiruar. Kushtet janë skandaloze.”