Grupi i Gazment Bardhi ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që seancën për marrëveshjen e emigrantëve me Italinë ta shqyrtojë në seancën e hapur për publikun. Në shkresën drejtuar këtij institucioni që mban firmën e Gazment Bardhit, argumentohet fakti se seanca duhet të jetë e hapur për mediat dhe publikun, pasi mbart një rëndësi të veçantë.
Në 13 dhjetor, Gjykata Kushtetuese mori ne shqyrtim kërkesën e bërë nga 30 deputetë të grupit Berisha-Bardhi lidhur me marrëveshjen Itali-Shqipëri, e cila konsiderohet nga ata anti-kushtetuese. Seanca për shqyrtimin e padisë, do të mbahet në 18 janar, në orën 10:00.
Marrja në shqyrtim e kërkesës nga Gjykata Kushtetuese, solli automatikisht pezullimin e ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend, gjë që ishte planifikuar të bëhen në seancën plenare të 14 dhjetorit. Kryeministri, Edi Rama nuk preferoi të jepte komente, duke thënë se një gjë e tillë është në të drejtën e Gjykatës Kushtetuese.
Drafti për marrëveshjen për emigrantët, u miratua në Qeverinë italiane në 5 dhjetor dhe u dërgua në parlamentin italian për miratim. Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.